Kujto nëntorin


Para dy vitesh kur Shqipërinë e mbushëm me flamuj kuqezi në vigjilje të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, u kthye në një lloj motoje shprehja e njohur në gjuhën angleze “Remember November”, pra “kujto nëntorin”. Në fakt rimon shumë bukur por pakkush e dinte origjinën e saj. 
Kjo shprehje vjen nga Anglia e shekullit të XVII, kur Guy Fawkes u kap në bodrumin e Parlamentit së bashku me disa fuçi të mbushura me barut. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan me vdekje për tradhëti në bashkëpunim kundër qeverisë. Forma e ekzekutimit të dënimit ishte varje në litar, zvarritje dhe copëtim, një formë kjo që përbënte një nga më të tmerrshmet që ishte zbatuar deri atëherë. Gjykatësi që gjykoi procesin mbërriti në Londër me porosi të posaçme dhe me vendimin e tij u përpoq të pasqyronte natyrën tepër të rëndësishme të veprës së krimit të tradhëtisë ndaj atdheut. Për këtë arsye Mbreti një vit më pas e ktheu në traditë mbajtjen e një ceremonie zyrtare në kujtim të kësaj ngjarjeje në mënyrë që kjo ngjarje e tradhëtisë ndaj atdheut të mos harrohet kurrë.
E pra është nëntor, muaji që fillon me festime dhe përkujtime datash të rëndësishme në historinë tonë edhe më të hershme se shekulli i XV. Gjithnjë dëshiroj të theksoj se ngjarjet e vogla të cilat disi na trishtojnë me të paktën dekadat e fundit të historisë tonë, nuk duhet të na trishtojnë pasi për fatin tonë disa dekada janë shumë pak në jetën e një populli si yni.
Por nga ana tjetër më pëlqen atmosfera që krijohet në këtë muaj. Është një ritual i bukur i përvitshëm në prag të muajit të fundit të vitit i cili sikur vjen aq shpejt këto vitet e fundit. Viti i ngjeshur me punë dhe detyrime rrjedh nga muaji në muaj e pa e kuptuar e gjen veten duke menduar për dhuratat e fundvitit. Por para se të mbërrijë fundi i vitit, është nëntori.

Nëntori që prej shekujsh ka sjellë data dhe ngjarje që na kanë krijuar një ndërgjegje të fortë kombëtare të lidhur ngushtë me këtë periudhë. Por dhe shumë popujve të tjerë e jo vetëm ne. Besimi tek ideali i të mirës përmes paqes i arritur shpesh me luftra të përgjakshme, është ajo kurora e lavdisë që na qëndron gjithë shkëlqim mbi krye. Nuk dua të numëroj të rënët e jetët e humbura, por vlerën e pafund të luftës së tyre për një rilindje të shpresës se njerëzimi ka ende rrugëzgjidhje përmes paqes.
Na rikthehet disa herë gjatë këtij muaji krenaria për atë që shumë të rënë por dhe të mbijetuar bënë për këtë tokë dhe në mënyrë të veçantë mua më pëlqen të ritheksoj se nuk duhet të harrojmë e për më tepër pa ndjenjën e hakmarrjes por kurrësesi nënvlerësimit ndaj kujtdo që guxoi të ngrihet kundër interesit kombëtar. Prandaj më pëlqen shumë kjo traditë për të mos harruar e rikujtuar se ata që tradhëtojnë kombin dënohen në mënyrë të rreptë, e jo thjesht të rreptë, por më të rreptën të mundshme.
Në një botë të mbushur me konflikte të dhunshme anembanë, ku jetë të pafajshme humbin çdo ditë pa kuptuar se ku po shkon e ardhmja, rikujtimi i datave historike që vijnë çdo nëntor merr një tjetër vlerë. E ndjej sesi më vijnë në sy shumë e shumë ngjarje të lexuara në librat e shumtë të historisë, të shfaqur në ekrane e të rrëfyera nga veteranët. E të gjitha lidhen me shpresat që rilindin sepse në nëntor rikujtohet mundësia që të gjithë patëm për të ndryshuar botën.
Në nderim të atyre që luftuan me idealin e lirisë në zemër që ne sot të jemi këtu, kujto nëntorin.

Përse urrejtje?


Përveç të gjithë dëshirës së madhe që kemi për të mbështetur skuadrën e kombëtares sonë të futbollit në ndeshjet e saj përballë çdo skuadre tjetër kundërshtare, sfida e javës së kaluar përligji atë frikën e madhe të brendshme që qëndronte e fjetur brenda nesh, frikën nga turpërimi prej humbjes. 

M’u rikthyen më aktuale se kurrë ndonjëherë këngët e Eposit të Kreshnikëve ku Muji dhe Halili ndeshen kundër hasmit të betuar që nuk i ndahet hap pas hapi, që i ndjek dhe u vret të afërmit, dhe i cënon aty ku shqiptari nuk duron, vatrën. Ashtu si në vargjet e Eposit, djemtë u rrethuan në fushë ashtu si Omeri në bjeshkë…

U shfaq urrejtja ndaj popullit tonë, ndaj vendit tonë, ndaj nesh. Dhe ne që mendonim të shkonim për turizëm kulturor atje u rrënqethëm teksa pamë flamurin tonë kuqezi të kthyer kokëposhtë që digjej mes flakësh. U drithëruam dhe na ndali zemra në çastin kur pamë sesi shqiptari rendi si shigjetë të shpëtonte flamurin nga duart e shkelësit.

Dhe PO, flitet për simbolet tona, për flamurin kuq e zi, e jo për flamurin blu me të verdhë që përpiqet këto gjashtë vite të ngrihet mbi kokat e një cope të kësaj toke mbetur jashtë kufijve vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë tonë. Janë figurat tona kombëtare, burrat e shtetit që përfaqësojnë pikërisht vendin tonë, e jo sot, por plot një shekull më parë janë ata që më të vegjël e të dobët se kurrë guxuan të kthejnë ëndrrën për pavarësi në realitet. Në flamurin që u valëvit mbi stadium ishin dy figura simbol për popullin tonë e midis tyre dhe ai që artikuloi aktin e mëvetësisë së popullit tonë.

Po përpara se të harroni e të bini në letargjinë e përditshme të rutinës tuaj, ju lutem kuptojeni se të tregosh patriotizëm nuk është mëkat, por po të jesh nacionalist ekstrem nuk ke ndonjë ndryshim nga rreziku i rënies dhe rikthimit të tmerrit dhe territ nazist, të cilin për të mos e harruar e rrjedhimisht mos-përsëritur, e rikujtojmë çdo vit dhe e dënojmë sa herë mundemi.

Është një turmë që urren, që sublimon frustrimin shumëvjeçar të të pasurit dy shtete të të njëjtit komb. Tashmë ky është realiteti ballkanik ku e drejta dhe padrejtësitë historike nuk barazohet më dot me numra. Thellësisht mendoj se turma ra viktimë e realizmit naiv. Ata panë në sy frikën e tyre më të madhe të cilën u përpoqën ta mundin, frikën e një vendi të vogël të madh, frikën e një kombi të dobët të fortë. Panë Omerin të ngrihej e të bëhej Muj. Ndërsa ne, ne pamë një turmë të ekzaltuar dhe të vetë-zhgënjyer që sillej brenda të gjitha pritshmërive.

E njohur si Efekti i Benjamin Franklinit vetë-zhgënjimi lidhet me faktin se ne sillemi mirë ndaj njerëzve që na pëlqejnë dhe sillemi keq ndaj atyre që nuk i pëlqejmë. Më pas me kalimin e viteve ne fillojmë të pëlqejmë njerëzit ndaj të cilëve kryejmë veprime të mira dhe të mos pëlqejmë njerëzit ndaj të cilëve sillemi jo mirë. Në një farë mënyre, frika nga mos-pëlqimi reciprok nisi që në momentin e mbërritjes në qytet të përfaqësueses tonë, dhe vetë atmosfera e krijuar dhe e nxitur edhe nga efekti shumë i madh i medias dhe bombardimi mendor që iu bë të dyja palëve me mesazhe dhe pritshmëri të drejtuara negativisht. Tensioni në ajër u rrit aq sa të gjithë iu trembën në heshtje dhe në brendësi u krijuan kushtet për një degradim të turmës drejt dhunës.

Më pëlqen ta shoh më teorikisht këtë çështje. Realizmi naiv, është prirja jonë për ta parë botën jashtë nesh objektivisht pra ashtu siç dhe ajo është duke përfaqësuar një pasqyrë reale të saj. Por nga ana tjetër rezultatet e perceptimeve tona marrin jetë brenda trurit tonë, e si të tilla nuk ka sesi të jenë tërësisht objektive dhe të përputhshme me botën jashtë nesh, pasi perceptimet tona lidhen ngushtësisht me vetë përvojat tona individuale, të cilat na detyrojnë të përjetojmë në atë formë të caktuar një ngjarje apo dukuri. Për ta përmbledhur ne jemi shumë të aftë për të zhgënjyer veten dhe tepër të pazotë për të vlerësuar rastet kur vetë perceptimet tona, qëndrimet, përshtypjet, dhe opinionet tona për botën e jashtme tjetërsohen nga vetë bota jonë e brendshme. 

Në përpjekjen e përditshme gjatë përvojës së ndërgjegjshme shpesh ndjehemi sikur kemi thikën ndarëse e cila gjen motivin tek mendimet dhe gjërat të cilave u besojmë. Na duket sikur personi që është në vendin tonë sillet njësoj siç do të silleshim dhe vetë ne, e për këtë arsye shpesh dëgjojmë dhe lexojmë se ne vetë i krijojmë ato që besojmë. Kjo qëndron shkurtimisht në thelb të asaj që Gandi shprehu kur tha se mendimet tona bëhen fjalët tona, fjalët tona bëhen veprimet tona, veprimet tona bëhen karakteri ynë, karakteri ynë bëhet fati ynë. Në këtë mënyrë ne brendësojmë ato veprime që na përcaktojnë se kush jemi.

E pra, u artikulua urrejtja, u nxit urrejtja, u injektua në të gjitha mënyrat urrejta, u kryen të gjitha veprimet jo të mira për të përligjur urrejtjen ndaj subjekteve që përfaqësonin objektin e urryer, u kënduan këngët e urrejtjes, u dogj simboli, por nuk u mposht dot frika, frika nga urrejtja.

Por nëse Omeri e humbi jetën dhe Ajkuna e vajtoi mbi gur, djemtë tanë u kthyen dhe na bënë më kokëlartë se kurrë.

Pakëz vals

Nuk tërhiqem lehtë nga mendimet të cilat jo vetëm që më përfaqësojnë por të cilave dhe u besoj. Nuk është e lehtë të kesh disa shtylla të qëndrueshme mendimi të cilat të qëndrojnë të palëvizura e për më tepër të palëvizshme gjatë shumë viteve. Për këtë arsye na pëlqejnë njerëzit të cilët ruajnë të njëjtat qëndrime në parim për çështje të ndryshme në rrjedhën e viteve.

Me këtë nuk dëshiroj të them që nuk më pëlqen ndryshimi, përkundrazi e shoh si shpresë për të ecur drejt qëllimit të realizimit të të mirës në mënyrë të qëndrueshme. Por gjithsesi ndryshimi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete por pa dyshim duhet mbështetur.

Ende nuk po them thelbin. Padashur më kujtohet “Valsi i Titanikut”, një nga shfaqjet teatrale më të dashura e më me kuptim sipas mendimit tim. Komediani rumun vjen me një titull të goditur, dialogjet tepër të gjetur, ngjarjet më reale se kurrë për të përditshmen tonë e cila zhvillohet brenda një cikli deri diku teatror që buron tek komikja dhe mbyllet shpesh tek qesharakja.

Një nga fjalitë që të mbeten në kujtesë gjatë pjesës është një fjali që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme duke e forcuar mesazhin por dhe duke e kthyer në komik dhe vetë dialogun midis kandidatit për përfaqësues politik dhe zonjës. “Se politika zonjë e nderuar” thotë aktori në skenë. Po pikërisht politika zonjë e nderuar më jehon në vesh dhe mua në këtë mbrëmje. Sa do të doja që të gjithë njerëzit që vendosin të hyjnë në rrugën e politikës të lexojnë shumë më parë për të, e jo blogjet apo editorialet e shumtë, por të ulen e të lexojnë vepra të mirëfillta e të vërtetat mbi politikën dhe artin e të bërit politikë.

Sepse politika dhe qeverisja zonjë e nderuar është art, është profesion, është ushtrimi i detyrave qytetare në nivelin më të lartë të dijes dhe bindjes. Është ndërgjegjësimi më i fortë i mendjes së ditur që synon dijen e jo pushtetin, për të pranuar të vendoset në krye të turmës pa kokë në nivelin e barkut apo shpatullave.

M’u rikthye “Republika”e Platonit, “Politika” e Aristotelit, etika, politika, po po, politika zonjë e nderuar më jehon ende në vesh zëri i aktorit në shfaqje.

Një vendim i mirë bazohet tek dija dhe jo tek numrat. Ndoshta ky argument ishte jo rastësisht ngërçi ku çalonte demokracia e shumicës apo e numrave. Sepse numrat përfaqësojnë shumicën por shumica duhet të respektojë të drejtën e pakicës për t’u dëgjuar e duke prezantuar dhe konceptin e artë të rrugës së mesit. Dhe mua gjithnjë më ka drejtuar ky mendim. Numrat më janë dukur aq realë sa dhe fjalët, e madje ndonjëherë edhe jo pa vështirësi jam përpjekur të gjej kuptim aty ku ndoshta nuk kishte. Një debat i gjatë sa vetë ekzistenca e konceptit, dhe ende real për ta vlerësuar.

Pasi mezi u shkëputa nga librat e mi të dashur që në mënyrë të pashmangshme më tërhoqën në atë botën time të cilën ngurroj ta vizitoj se kur hyj në të thjesht humb e nuk di të dal më, me duar të nxira nga boja e fletëve dhe me erën e fortë të fotokopjes në hundë, vendosa të shoh c’bëhet online për Aristotelin. Sepse kur flasim për politikë dhe etikë nuk ka si të mos i kthej sytë tek ai.

Për ironi të fatit një nga faqet e para që listohen në web kur kërkon për Aristotelin është “koshi i mbeturinave”, një blog goxha interesant që flet në mënyrë të përmbledhur për veprën e tij ‘Poetika’. Ehhhh mendoj me vete, a mund ta hedhësh në kosh dijen? Epo mesa duket edhe mundet por me një kusht ama, të jetë rruga e mesit të artë…


Rastësi elementare

Është pasditja e parë e ditës së parë të punës për këtë javëËshtë fillim shtatori dhe të gjithë janë rikthyer në detyre për të dhënë kontributin e tyre në të përditshmen e ngjeshur që mesa duket ka zëvendësuar vrullshëm e menjëhershëm pushimet e shkuara tashmë.
Shiu i dendur që filloi në mesditë më riktheu të freskët ndjesinë vjeshtuke të Tiranës, ku papritur shfaqen të gjithë mjetet e fshehura nëpër parkime të futura brenda pallateve dhe rrugëve dytësore. Kënaqësia e të pasurit rrugën për vete tashmë duket si një ndjesi e largët, pasi të njëjtën korsi të duhet ta ndash të paktën me gjysmë-makinën e drejtuesit të paduruar në krah.
Edhe pse përgjithësisht pëlqej të hap rrugën dhe të lejoj të kalojë çdo person që shpreh nervozizëm të çdo lloji, sërish ndjej se e vetme nuke ndryshoj dot situatën e rënduar akustike përreth meje. Nuk mundem të mos vëre sesi këmbësorët presin me minuta të tëra të kalojnë nga një anë e trotuarit në tjetrën pasi askush nuk ua jep të drejtën të kalojnë. Nuk mund të them se është pikërisht vendi i duhur për të kaluar pasi pak këmbësorë zgjedhin të përdorin vijat e bardha, por në fund të fundit, njeriu vjen i pari, prandaj edhe sikur të zgjedhë që në atë moment të kalojë në vendin më të papërshtatshëm të mundshëm, sërish ka të drejtë të lejohet të kalojë edhe pse kjo është një rrezik më shumë në rrugët tona tepër të pasigurta.
Me këto mendime në kokë po zvarris këmbët me hapa të ngadaltë drejt makinës së parkuar diku larg, e ndërsa dëgjoj kolegen time që më tregon për virozën e fundit që qarkullon në qytet, filloj të vë në dyshim nëse më kujtohet saktë vend-parkimi apo edhe sot si jo për herë të parë jam duke ecur në drejtimin e gabuar. Për një gjë jam e sigurt gjithsesi, se e vetmja gjë që njeriu do në një pasdite të tillë, (pra unë), është të mbërrijë sa më parë në shtëpi, duke iu shmangur sa më shumë të jetë e mundur kaosit dhe trafikut që mbizotëron në rrugë. Së fundmi kam filluar t’i drejtohem vetes në vetën e tretë, e mendoj se së shpejti duhet ta ndryshoj këtë gjë.
Por hëpërhë po e mbaj në këtë formë dhe nuk mund të mos shoh dritën e fortë që çan përmes reve dhe ndriçon të gjithë kurorën e Dajtit. Një gjë tjetër e sigurt më kalon nëpër mend, një dije që më vjen nga fizika dhe natyra e dyfishtë e dritës. Nuk di përse po i mendoj të gjitha këto, por papritmas ndjej peshën e grimcave të saj, sepse po, faleminderit fizikës dhe drita ka peshë. Por nuk po e shoh diellin, ai tashmë është pas shpinës time e rrezet e dritës edhe pse unë jam një qënie tërësisht e papërfillshme që endet rrugëve të këtij qyteti, përthyhen butësisht dhe hedhin në trotuar hijen time e cila nxiton më shumë se hapat e mi të ngadaltë për të mbërritur.
Ja më në fund e shquaj, por bashkë me makinën shoh se një tjetër mjet më paska parkuar dysh në krah. Pa u lodhur shumë i flas vajzës që më shfaqet përballë si vjedhurazi, me gjysëm vështrimi shkaraz, a thua se nuk e ka lënë mjetin në mes të rrugës në mënyrën më tëgabuar të mundshme, dhe ndërsa kërkoj ngultazi sytë e saj që qëndrojnë pas syzeve të diellit, i flas pa hezitim. Ma hap pak rrugën të dal!
Sot fati më zgjodhi mua, të më zëjë rrugën time të thjeshtë një vajzë me një zë të mrekullueshëm, për të cilën kam duartrokitur dhe jam lutur në heshtje të fitonte konkurset muzikore sa herë dilte në skenë. Isha gati të thërrisja, hej je ti e famshmja këngëtarja ime e dashur… Por kolegia ime ma ka rrëmbyer fjalën nga goja dhe me shumëkujdes, dashuri e gati përkëdhelje i ka renditur tashmë të gjitha mendimet e mia drejtuar asaj, idhullit tim muzikor.
Por më kot… Ajo uli kokën dhe në mënyrën më shpërfillëse të mundshme hyri në makinë dhe u largua duke na lënë me një shije aspak të këndshme. E kë? Ne, që gati sa nuk i thamë faleminderit që na zure rrugën. As edhe një buzëqeshje të vetme për be. Dhe unë që mbeta me çelësa në duar duke parë me habi shoqen time. Hej ç’bëhet kështu jam gati të bërtas, por ja që edhe kësaj here nuk e bëj.
Epo, mesa duket, herë pas here, në jetën tonë të zakonshme hyn dhe elementi i përrallës së bukur e cila si çdo përrallë mbaron shpejt…

Në fund të shfaqjes…

Për shumë arsye lajmet mbërrijnë më vonë tek unë. Ndoshta sepse nuk i kërkoj, nuk i dëgjoj, u fshihem. Më ndjekin dhe u iki. E sërish nuk u shpëtoj dot. Përpiqem të qëndroj në hije, në cepin e sigurt të qetësisë dhe të përditshmes por sërish mbërrijnë te unë. Mbërrijnë të pjekura e shoshitura mirë, ashtu siç vijnë lajmet që kanë mundur të mbijetojnë pas atyre të parëndësishmeve që nuk zgjasin më shumë se sa tre ditë. Atëherë unë kthej sytë, dhe lexoj, e çfarë nuk lexoj, më mirë të mos kisha lexuar…

E di, jam shumë e re për të qënë kaq e mbushur me histori dhe përvoja. Por fakti që u rrita në një vend të mbushur me mungesa në shumë drejtime, më ka bërë që të përjetoj fëmijëri të ndryshme e ndoshta dhe më interesantë sesa shumë fëmijë të tjerë në vende më të zhvilluara. Jeta jonë u konturua nga kufizime të pamendueshme për ekzistencën, jo vetëm mungesë lirie, por mungesë ushqimi, lëndësh të rëndësishme për jetesën, energji elektrike dhe ujë.

Pa e nënvlerësuar kauzën fillestare të kovave me ujë të ngrirë akull, personalisht më traumatizon si akt. Nga ta filloj. Nga shpërdorimi i ujit, nga objekti që përdoret për të kryer aktin, apo nga përdorimi i koncepteve të vëllait të madh të nominimit, apo emërimit, apo përcaktimit, apo thirrjes në sfidë… Cilën sfidë më falni? Sigurisht atë që nuk përfshin kontributin jo thjesht fizik por dhe monetar.

Drithërohem përballë njerëzve që lagin oborret apo rrugët me ujë të pijshëm. Rrënqethem nga fotot e fëmijëve që përgjërohen për një gotë ujë. Kur lexoj se rreth 768 milionë njerëz në botë nuk kanë akses në ujin e pijshëm nuk kam sesi të mos jem dakort me mandatën e frikshme sipas të cilës lufta e ardhshme botërore nuk do të jetë për territore apo naftë, por për ujë.

Për t’u rikthyer tek objekti. Kova… Unë i urrej kovat. I urrej bidonët plastikë që mund të mbajnë më shumë se tre litra ujë. I urrej shishet plastike që mund të mbajnë më shumë se 5 litra ujë. Kam frikë nga legenët e cilësdo forme dhe ngjyre. Më lidhen në të pandërgjegjshme me kohën kur uji nuk na vinte në rubineta për ditë të tëra. Për fatin tonë të keq, pallati i banimit ishte i lidhur  në fund të  rrjetit të shpërndarjes dhe nuk arrinte të furnizohej me ujë as në mëngjes e jo më sipas kalendarit të ujësjellësit. Shkonim si pallat dhe rreshtonim të gjithë enët me të cilat mund të transportohej uji, tek një familje e thjeshtë tiranase e cila na hapte derën e shtëpisë përdhese dhe për orë të tëra mbushnim ujë. Nuk di arsyen përse ata kishin ujë shumë orë në ditë, por nuk do të harroj kurrë dashamirësinë e asaj shtëpie përdhese në kufijtë e varfërisë. E si shpesh më ka ndodhur të vërtetoj në lëkurën time, njerëzit e thjeshtë e në pamundësi ekonomike, janë shumë bujarë me atë pak gjë që kanë. Për këtë gjë ata nuk bëjnë publicitet e as kërkojnë çmime por e bëjnë thjesht si një akt të mirë.

Nuk ka si të mos citoj Aristotelin në këtë shkrim, sepse e shoh me vend përballë një prirjeje të re të shumë artikuj-shkruesve, të cilët përpiqen të krijojnë vlerë edhe aty ku përveçse e paqënë është dhe e panevojshme. I kërkoj ndjesë gjithsesi, por meqë vetë-hedhja e kovës me akull në thelb është një akt i mirë, sipas Aristotelit, nëse një akt i mirë bëhet duke humbur sensin e masës, atëherë kthehet në të kundërt, e nëse bëhet duke mbyllur sytë ndaj qëllimit kryesor që qëndron në thelb të aktit, mbledhjes së fondeve, atëherë thjesht më duket i neveritshëm.

Le të ulet perdja, shfaqja duhet të mbarojë…

Të bëjmë një marrëveshje!

Në vitet e fundit një nga konceptet e reja të cilët më janë bërë pjesë e identitetit është prindërimi. Të rrisësh një fëmijë do të thotë që bashkë me të të zbulosh dhe kufijtë personal, thënë më thjesht të shikosh çdo ditë se deri ku je gati të përballosh. Në këtë mënyrë kupton sesa pak e ke njohur veten dhe sesa shumë je në gjendje të bësh, në një kuptim tërësisht të paditur më parë.
 
Një nga ndjesitë më të forta që kam përjetuar në sytë e vajzës time që në ditët e para të jetës, ka qënë ndjesia e të kuptuarit. Edhe pse ajo nuk reagonte, e ndjeja që çdo fjalë e imja hynte brenda qenies së saj dhe isha e bindur që më kuptonte. Kjo ndjesi m’u përforcua në çdo ditë që shkonte e ndërsa e shoqëroj tashmë si një fëmijë çamarrok që luan nëpër lodra deri diku të rrezikshme, e shoh se si kuptohemi me vështrime apo gjeste.
Nuk ka ndjesi më të bukur sesa të identifikosh tek fëmija sjelljet dhe mësimet e tua. Mësime të cilat pa as më të voglin dyshim nuk vijnë thjesht nga të folurit por më fort nga modeli i sjelljes që dëshmon në çdo ditë të jetës.
Sa herë shkoj me të tek lodrat, një nga shqetësimet më të mëdha që përjetoj është përballja e saj me fëmijët e tjerë. Nëse dëshironi të kuptoni sesi është shoqëria ku jetojmë, duhet të shikoni sjelljen e fëmijëve. Fëmijë që sulmojnë njëri-tjetrin dhunshëm, fëmijë që shajnë me fjalë që shpesh nuk i kam ditur se mund të përdoreshin në atë formë, fëmijë që hedhin vështrime dashakeqe ndaj shokut që ka kthyer kurrizin, fëmijë që mashtrojnë dhe shkelin rregullat e lojës, fëmijë të tulatur që duken të humbur përballë sjelljesh të tilla… Dhe vajza ime që për fat nuk është e dhunshme ndaj të tjerëve, por që ka filluar të bëjë gjithnjë e më shpesh dredhi në lojë, që përpiqet të fitojë lojën me argumentin e fjalës, që vjen duke qarë pasi nuk ka mundur të fitojë, dhe që në të gjitha mënyrat kërkon të vendoset në qendër të lojës dhe vëmendjes së të tjerëve.
Unë nuk i duroj dot lotët në sytë e saj, por dhe nuk më pëlqen roli i nënës që grindet me fëmijët e tjerë apo me prindërit e fëmijëve të tjerë e gjithnjë përpiqem që ta bëj të kuptojë se problemet mund të zgjidhen me anë të fjalës dhe diskutimit.
Është për fat të keq një shembull jo i këndshëm për sytë, i shoqërisë ku jetojmë pikërisht sjellja e fëmijëve. Ajo që më goditi e që dua ta ndaj sot me të gjithë është një ngjarje në hyrje të lojërave. Tre fëmijë po grindeshin për të hyrë pasi një vajzë e vogël nuk i lejonte të hynin me argumentin se ajo ishte vajza e pronares. Njëri prej fëmijëve erdhi të kërkonte ndihmë tek unë dhe po përpiqesha të dëgjoja mes lotëve të tyre arsyet e grindjes. Arsyet ishin të paqëna dhe më vonë kuptova se ishte thjesht një akt tekanjoz por më ngeli në mend sesi ajo këmbëngulte me të drejtën në anën e saj vetëm sepsë ishte bija e pronares. Kërkova më kot të takoj të ëmën për të kuptuar në ky ishte një udhëzim që vinte prej saj, por ajo si një femër biznesi e vërtetë, refuzoi të jepte shpjegime për mungesë kohe. 
Këto kohët e fundit po më rrotullohen përreth shumë raste të tillë ku diku vetë pronari, diku djali i pronarit, e diku vajza, bëhen pengesë për vetë zhvillimin e biznesit të familjes. Gjithsesi nuk më shqetëson kjo gjë.
Ajo që përpiqem të bëj në fund të çdo situate të pakëndshme me të cilën na duhet të përballemi edhe për arsye se jemi prindër të rinj me një fëmijë kërkues të cilës dëshiroj dhe duhet t’i shpjegoj që të kuptojë se çfarë të presë dhe mundësisht se si të reagojë në situata të tilla, është që të gjejmë gjithnjë një rrugë paqësore e të argumentuar për të zgjidhur çështjen.
Mbrëmë nuk munda të arrij një marrëveshje me vajzën e vogël të pronares dhe m’u desh të kthehem në shtëpi e shoqëruar për pjesën tjetër të mbrëmjes nga sytë kureshtarë të vajzës sime të cilët kërkonin një shpjegim, përse nuk mundëm të bëjmë një marrëveshje kësaj here?

Një numër

Një numër
Nga 
Blerina Karagjozi

Këtë fundjavë nuk munda të qëndroj pa reaguar ndaj fushatës së re falenderuese ndaj një-milion shuplakave. Nuk mund ta fsheh se u ndjeva e abuzuar nga falenderimet tabelare me kosto të lartë për buxhetin. Vendosa ta shmang në ditët në vijim autostradën që të mos më prishej më gjaku teksa shikoj që vetëm shtohen reklamat falenderuese. Por nuk qenka e thënë të shpëtoj sytë, sepse dhe në rrugët e qytetit në çdo stacion autobusi dhe jo vetëm, por dhe poshtë dritares së zyrës time, janë rreshtuar falenderimet me kosto financiare. Thënë nga unë që nuk më pëlqen të merrem me shifra është edhe më e rëndë, pasi vërtet më mërzitën këto lloj furçash të tepruara e të panevojshme për një realitet si i yni, ku shumë më tepër sesa falenderime na duhet shumë punë për të arritur tek ato të shumëdëshiruarat e shumëpritura rezultate. 

Po e di, jam e ndërgjegjshme, ndryshimet duan kohë të ndodhin, dhe duan shumë punë për t’ia dalë. Në fund të fundit çfarë janë treqind ditë në jetën e një vendi? Janë shumë pak, për të pritur të ndodhin çudira në kahun pozitiv, por nga ana tjetër jeta është e përbërë nga shumë treqind ditësh të cilët herë mirë e herë më pak mirë kanë shkuar duke rezultuar në këtë gjendje që jemi sot. E ndërsa pres ndryshimin, informohem çdo ditë e më shumë për taksa të shtuara, për taksa të reja, për detyrime që duhet ende të paguaj. Sa të shtrenjta po më duken papritur këto tre-qind ditë. Në mënyrë të pandërgjegjshme më asociohen me tre-qind paret e këngës…

Mesa duket ka filluar të ndjehet tingulli i këmbanës së zgjedhejve të rradhës, e ne votuesit e thjeshtë duhet të ndërgjegjësohemi se ndaj kujt duhet të kthejmë sytë.

Përpiqem të sjell në mendje sesi më kaluan këto tre-qind ditë, e përveç punës dhe pushimeve të shkurtra, nuk kujtoj ndonjë ndodhi që të meritojë më tepër vëmendje se të tjerat. E njëjta sorrollatje në ambulancë, në minibashki, në nxjerrjen e patentës së re, i njëjti trafik në rrugë, të njëjtat shkelje, disa ngjarje të rënda shokuese në sigurinë e jetës, moti i paqëndrueshëm, stinë të pabindura, dhe unë që qëndroj e lodhur në thuajse pragun e durimit për të filluar pushimet.

E keni vënë re? Nëse përpiqesh sadopak të qëndrosh jashtë vorbullës ku pandaluri kërkojnë të na përfshijnë politikanët në këtë periudhë ku vërtet zgjedhjet nuk na qëndrojnë në prag si një gur i rëndë për t’u mbajtur, por sërish janë në gjendje të prodhojnë ndjesi padurimi dhe tension që pasi të kalojë nëse nuk je bërë pjesë, mund të dukesh si një njeri deri diku i dëshpëruar e palidhje me realitetin. Por më duhet t’i zhgënjej të gjithë ata që mendojnë kështu e t’u them se si unë janë shumë, dhe nuk jemi pa lidhje me realitetin, as të dëshpëruar, as pa rrugëdalje. Ne kemi një realitet tjetër, shumë më të mirë se ai ku përpiqeni të na bëni pjesë, e ku nuk mundemi të përkasim.

Ah sikur të na përfshinin në vendimet e tyre edhe gjatë periudhës jashtë çmendurisë së zgjedhjeve, por në atë të ashtuquajturën kohë jo-zgjedhore jo vetëm që nuk ndjehem e përfshirë por për të qenë e sinqertë deri në kockë shpesh jam ndjerë e papërfaqësuar e madje dhe e përjashtuar. E lexova jo pa trishtim dje lajmin se do të propozohet shkurtimi i lejes së barrë-lindjes për nënat. Po për këtë do të shkruaj një herë tjetër.

Unë kam dëgjuar e lexuar shumë për këtë të ashtuquajtur politikë dhe logjika e përdorur në këtë vend për të bërë politikë nuk mund të më përkasë. E dëgjoj sesi bëhen llogaritjet për numrat e pëlqyesve në rrjetet sociale, për klikime të blera apo lista llogarish për votat e shumëdashura dhe ndjej një neveri të parrëfyer. Nëse e përdorim si njësi matëse renditjen në rrjet, Shakira është më e pëlqyera e botës, por ja që mua ajo nuk më pëlqen…

Por unë ende besoj se në këtë hapësirë dhe unë ashtu si dhe gjithë miqtë e mi që më lexojnë, kemi të drejtën të paktën këtu të mos shqetësohemi nga fjalimet e etiketimet boshe të tyre. Po po e dimë tashmë, është thjesht çështje numrash por më duhet ta them, unë duhet të merrem me botën time, me botën tënde, me botën tonë, me të drejtën tonë për të mos u konsideruar thjesht e vetëm një numër…