Përse mjekët kanë të drejtë për dinjitet!


Është një ditë e zakonshme. Një nga ato ditët e ftohta të dimrit të hidhur të Tiranës kur çdo pjesë e rrugëve midis pallateve që nuk i bie rrezja e ngrohtë e diellit ka ngrirë. Në një mëngjes të tillë gri, trafiku e kap për fyti qytetin dhe përpiqet ta mbajë të shtrënguar fort, si për t’i kujtuar se më shumë mund të bëhet në këtë drejtim dhe nuk na mjafton emërtimi urban për të qënë vërtet një qytet me qarkullim normal.

Në minutat e gjata midis shtëpisë dhe zyrës, kam gjithnjë kohë të mendoj për ngjarjet e një dite më parë, qofshin biseda, lexime, lajme apo dhe shqetësime të ndara mes miqsh. Nuk ka më asnjë dyshim se të dëgjosh lajmet e mëngjesit, apo titujt e gazetave është një moment që në rastin më të mirë, të mbush me pyetje e përse, për të mos thënë me ankth e shqetësim. Në erën e komunikimit, shqetësimeve të vogla të një vendi si yni, në dukje të thjeshta por në të vërtetë të ndërlikuara, u shtohen dhe përplasjet e forta mes ideologjive, burimeve, krizat financiare globale, luftërat e konfliktet e armatosura e të përgjakura sëbashku me ekzekutimet çnjerëzore të herëpashershme.

E gjendur mes vorbullave të tensionuara në garën mediatike për të shpërndarë ekskluzivisht lajme papushim, kam qëndruar në vijën e dytë të valës ku mbërrin lajmi, pra thënë ndryshe, kam rezistuar ndaj thirrjeve të qëndrueshme të mediave të të gjitha llojeve e formave, për të mbërritur te unë. Kam refuzuar të dëgjoj dhe lexoj për aktet e shumta që ndërmerren në këtë vend, me të cilat shpesh nuk jam në një mendje, por ama disi mund ta pranoj se kam dhe forcën e duhur që të qëndroj mendërisht larg. Ky distancim për fat të keq është i përkohshëm, sepse sado të qëndrosh në hije, duke e sforcuar veten për të mos parë, mos dëgjuar e si pasojë mos reaguar, sërish në një mënyrë ose tjetrën je pjesë e këtij realiteti dhe nuk mund të bësh dot ndryshe.

Si një qytetare e këtij qyteti  ndjehem e cënuar në çdo gropë të rrugës, në çdo ndërprerje të energjisë elektrike, në çdo semafor që pret ose nxiton, në çdo zyrë ku shkoj dhe përballem me fytyrën e ngrysur të nëpunësit të rradhës, në çdo vendparkimi të zënë dhunshëm nga karriget apo arkat buzë trotuarëve, në çdo dyqan ku me dyshim druaj nëse data e përdorimit të produktit është e saktë, në çdo sportel të institucioneve bankare e në shumë në-ra të tjera të cilat ma mbushin të përditshmen me ndjenjën e shëmtuar e të padëshirueshme të pasigurisë.

Unë nuk e meritoj këtë. Ashtu si unë nuk e meritojnë as familja ime, të afërmit, miqtë e mi, fqinjët, miqtë e tyre, e me pak fjalë asnjë qytetar i këtij vendi që ende jeton, punon në këtë realitet duke dhënë e marrë brenda një sistemi shoqëror i cili sado me probleme dhe të meta me institucione të reja e të vjetra që mbajnë në këmbë një strukturë të tërë shtetërore që na përfaqëson dhe shërben, funksionon. 

Jo paqëllim rradhita një nga një disa nga kategoritë bazë, që na bëjnë të ndjehemi të lidhur fort me të mirat dhe dobësitë e vetë mënyrës se si kemi mësuar të bashkëveprojmë, duke u ngjitur deri në strukturat më të larta e duke zbritur deri tek rrënjët e bazës së ngrehinës sonë të përbashkët prej të cilës vetëm kërkojmë por rrallë i japim.

Këto kategori të njohurish e të panjohurish ndër të tjera ndërlidhen me mua dhe në një realitet virtual i cili tashmë përbën vendtakimin e përbashkët, ku ndajmë gëzimet e shqetësimet tona në rrjet. Dëshiroj ta quaj rrethin tim të ndjekësve, të njerëzve të cilëve u besoj dhe më besojnë, mendimin e të cilëve e kërkoj dhe aprovimin e tyre e dëshiroj, vendi ku më lexojnë, më shkruajnë dhe më bëjnë të ndjej se shqetësimet e mia nuk janë të izoluara. Sepse ashtu si shumë të tjerë dhe unë përballë frikës së pasigurisë të të ardhmes, kam nevojë për mbështetjen e të ngjashmëve të mi.

Po mendoj të shkruaj një shkrim në mbrojtje të bluzave të bardha. Vetëm një fjali e imja mjaftoi për të tërhequr vëmendjen e lexuesve të mi mbrëmjen e djeshme. Një varg shembujsh dhe pakënaqësish ndaj përvojave të ndryshme në rrjedhën e viteve u derdhën lumë. 

Për mua tashmë është e pritshme që të shoh sesi reagojnë lexuesit ndaj çështjeve të tilla, të cilat na prekin direkt në një mënyrë ose tjetrën. Përballë problemeve shëndetësore ndjehemi shumë të pafuqishëm, sepse kuptojmë që sado të ditur apo të lexuar të jemi, faktorët dhe veçoritë tona personale fizike dhe intelektuale nuk vlejnë përballë dijeve të personelit mjekësor dhe protokolleve të përcaktuara si rezultat i kërkimeve apo studimeve të fushës. Për këtë arsye ndaj tyre bëhemi shumë të ndjeshëm.

Qëllimi im i mirë për të dalë në krah të të drejtës së një profesionisti për dinjitet njerëzor thuajse u mbyt mes dëshmish të trishta e zhgënjyese. Por unë vazhdoja me këmbëngulje të valëvisja flamurin e integritetit profesional dhe dinjitetit të një grupi që në dukje është i shumë i pushtetshëm por sërish aq i pafuqishëm.

Të gjithëve na kanë pyetur në fëmijëri se çfarë do të bëhesh kur të rritesh, një pyetje që fillon në formë loje naive për tu shndërruar në një lojë të vërtetë gjatë gjithë jetës. E zgjodha me një arsye specifike termin lojë. Është një lojë me jetën që e fillojmë në kushte të pabarabarta duke menduar se jemi të fuqishëm ndaj faktorëve të jashtëm të cilët nëse lihen pasdore mund të na kthehen në rrezik për jetën. 

Duhet ta pranojmë, ne jemi ata që shkojmë në dyert e mjekut në momentin që kemi ezauruar të gjithë bagazhin tonë mjekësor personal, familjar apo fisnor. Ne konsultojmë njëri-tjetrin për shqetësimet shëndetësore duke filluar nga ankesa më e lehtë e deri tek më e ndërlikuara. Me një kulturë të ulët kontrolli periodik, ne përzgjedhim të konsultojmë mendimin e paspecializuar të njerëzve përreth nesh, të rrethit, duke përdorur dhe mjekime që na rekomandojnë miqtë, përpara se të drejtohemi tek mjeku.

Ne mbërrijmë në dyert e qendrave shëndetësore, poliklinikave apo spitaleve kur gjendja jonë është rënduar, kur nuk kemi më kohë të presim për konsultën, kur 24 orë për rezultatin e analizave na duken anarki, kur rradha për ekzaminim na duket përjetësi, kur kërkesa për dokumentacion të çertifikuar institucional të kartelave të sigurimeve shëndetësore na duket si një padrejtësi ndaj të drejtës tonë për të gëzuar shëndet të plotë menjëherë.

Ne qëndrojmë në grup para derës së mjekut pa mbajtur rradhën, pa i dhënë përparësi fëmijës, pensionistit, personit me paaftësi fizike, nënës, gruas, të sëmurit më rëndë, sepse ne të gjithë kemi të drejtën të ankohemi dhe të bërtasim për një faj që përveç mendjes dhe mënyrës së gabuar të rrënjosur në ndërgjegjen tonë kolektive, papritur na e ka dhe mjeku.

Unë nuk jam mjeke. Unë gjithmonë jam drejtuar me frikën e padijes tek mjekët duke kërkuar shpresën për shërim në dijen dhe përgatitjen e tyre. E në çastet kur jam siguruar se shumë shpejt dhe unë do të jem mirë, kam hedhur sytë përreth dhe kam kërkuar të shoh standartet. E kam pasur shpesh të vështirë të gjej kushtet e dëshiruara dhe kam pritur me padurim të largohem dhe të mbyll derën pas, për të harruar se në ç’gjendje punon personeli mjekësor. Kam ecur me kokën poshtë nëpër korridoret e mbushura të poliklinikave dhe spitaleve, duke refuzuar në një farë mënyre të shoh se sa vizita bën një mjek gjatë orarit të punës. Dhe me të drejtë dëshiroj të mendoj se dhe në këtë profesion ka një mbingarkesë dhe shfrytëzim të skajshëm të kapacitetit mendor dhe fizik individual, një ezaurim dhe keqtrajtim i aftësive intelektuale për të dhënë maksimumin në një profesion tepër të vështirë dhe delikat, e në mënyrë të padiskutueshme jo absolut.

A u lejojmë ne mjekëve kohë të këshillohen, të lexojnë, të punojnë në qetësi dhe pa presion? Ne vetë krijojmë vorbullën të cilën nuk e pëlqejmë, duke filluar nga mënyra si ndjekim shkallët e sistemit të trajtimit duke mos shkuar tek mjeku i familjes por menjëherë në spital, duke telefonuar çdo njeri të mundshëm për të lënë një orar takimi me mjekun e dëshiruar. E në atë moment mjeku në sytë tanë është vetë perëndia e gjithëfuqishme që do të na shpëtojë në momentin e fundit kritik me të cilin përballemi. 

Dhe mjeku qëndron aty si në fushën e betejës, e pas çdo hapje dhe mbyllje dere për realizimin e konsultës, hapen dhe mbyllen plagë të një sistemi  të tërë vlerash dhe jo-vlerash që përplasen për të sublimuar shërimin fizik. Një proces ky që jo rrallë përfundon për shumë arsye me rezultate trishtuese dhe na mbush me dëshpërimin se shpresën për sëmundjen e rradhës nuk do të mundemi ta gjejmë në këtë vend. Por mjeku është një, si koncept, si subjekt, si individ, si person, si profesionist. Nëse mjekët trajtohen si grup i shënjestruar e nëse i kemi identifikuar si problemin e madh nga burojnë të këqijat e shumta që i kanosen këtij vendi, atëherë kemi zbuluar arsyen e vërtetë të gjendjes tonë shëndetësore fizike. Po shërimin moral kush do t’ia ofrojë shoqërisë sonë?

Ky shkrim mund të gjendet në Gazeta Panorama

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s