Gjurmim


Këtë javë më ndodhi diçka për të qeshur. Ishte e hënë, e mesa duket ngjarjet që më ngacmojnë dëshirën për të shkruar më ndodhin në ditën e parë të javës. Ndoshta truri është i çlodhur nga fundjava dhe bëhet më i prirur për të kapur ngjarje dhe episode të cilat në një gjendje mbilodhjeje apo ngarkese i shpëtojnë vëmendjes time. Por ja që dhe sot hapa kompjuterin dhe pasi mbarova punët e mëngjesit, hapa gazetat online. 

Lajmet kryesore, ekonomi, rubrikë, disa fotografi, lajmet rozë, dhe ja në të dy anët e ekranit madje dhe poshtë titullit të lajmit qëndron një foto ndërvepruese,  po të klikosh mbi të do të drejtohesh në një hapësirë reklamuese jashtë gazetës e cila të çon të vizitosh një dyqan veshjesh të mirënjohur në Britaninë e madhe.

Dhe unë si një vizitore e mirë e faqes së gazetës, menjëherë klikova për t’u drejtuar tek faqja që m’u sugjerua. Pasi kalova dy-tre faqe me njëzetepesë artikuj dhe u ndala pak sekonda në tre artikuj me ngjyrat e mia të preferuara, e mbylla dhe iu riktheva detyrave që më trokisnin në email. Orët shkuan shpejt dhe pas dreke e kisha harruar tashmë gazetën dhe lajmet e ditës.

Një tjetër email këtë herë reklamues më joshi të klikoj e të ridrejtohem në një faqe që tregonte për një operetë e cila do të vihet shumë shpejt në skenë. Dhe surprizë! Në të dy anët e faqes më shfaqen tre artikujt tek të cilët u ndala pak sekonda më shumë se të tjerët.

Papritur çdo faqe ku hyja më listonte tre xhaketat, rozë, e kuqe dhe lejla me një kopsë të madhe në mes. E jo vetëm më listoheshin, por ekrani në të katër cepat e tij e ndonjëherë dhe në mes më tregonte vetëm këto figura të shumëfishuara në dymbëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë xhaketa me kopsë në mes…

E martë, e mërkurë rutina e përditshme vazhdon si çdo ditë. Në momentin e parë të lirë hap faqen e gazetës time online. Dhe sërish më shfaqen xhaketat me kopsë në mes. Unë nuk dorëzohem dhe këmbëngul në kërkimet dhe leximet e shumta në rrjet. Por dhe dyqani që mendoi se unë isha një blerëse e mundshme nuk dorëzohet e vazhdon të më shfaqë në mënyrë të përsëritur dhe acaruese të njëjtët artikuj. Po më ndjekin! 

Ky është mendimi i vetëm që më kalon në mend, ndërkohë që me bezdi konstatoj se ato xhaketa nuk më pëlejnë më sa ditën e parë. Madje jo vetëm që nuk më pëlqejnë, por po më kthehen në një simbol përndjekje. 

Edhe kur dëshiron të lexosh për gjendjen në rajon, për krizën e Eurozonës, apo për lajmet e parëndësishme nga jeta e artistëve, në të gjithë vendet e mundshme të ekranit sytë të bëjnë lojra nga ngjyrat e shumëfishuara të xhaketave me kopsë në mes.

Të më falni o njerëz që qëndroni pas ideve marketuese pasi strategjitë tuaja për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të interesuar për produktet dhe artikujt që ju tregtoni, mund të jenë të drejta dhe fitimprurëse. 

Më falni por mua me këtë lloj gjurmimi të tepruar e siç thotë populli këmba-këmbës, apo si them unë faqe-faqes, më keni humbur. 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s