Pas vdekjes…


Po bien këmbanat, në mënyrë harmonike, simbolike, ftuese, si çdo pasdite në të njëjtën orë, fiks në pesë. Çdo të hënë zgjohem me dëshirën për të gjetur pak kohë. Çdo ditë dal dhe rikthehem e pamundur për të përmbushur dëshirën e mëngjesit të të hënës. Çdo pasdite këmbanat e tingujt e fortë më mbërrijnë në membranën tepër të ndjeshme të veshit duke më kujtuar se duhet dikur të kthej sytë nga shpirti, se shpirtin duhet ta mbaj të pastër e të hapur ndaj Tij. 
E kam të vështirë të qëndroj e qetë kur i dëgjoj këmbanat që më shkundin nga e përditshmja dhe e zakonshmja rutinë e çdo dite të vetme. 
Nëse do ndjeja ndonjë formë vështrimi dyshues, kritikues, vlerësues se po bie në grackën e ekzistencializmit të besimit pa as më të voglin hezitim do i përgjigjesha me një vështrim po aq mospërfillës sa gjithë shpërfillja e përditshme ndaj thirrjeve të këmbanave. 
Nuk është çështje besimi, përkatësie në besim, është çështje e një njeriu të vetëm përballë asaj që qëndron mbi krye si një shenjë treguese e të pashmangshmes që do të mbërrijë dikur, diku, aty ku do të ndodhesh në atë çast të dhënë.
Një gisht tregues kërcënues mbi kryet e të vdekshmëve që gjallojnë me besimin e palëkundur se vdekja nuk u përket dhe ecin me mendimin e të qënit të paprekshëm dhe të pacënueshëm dhe të gjithëpushtetshëm, në thelb sjellje tipike vdektarësh të mjerë, pa kokë e pa arsye, por në thelb kryeneçë.
Të gjithë me një tipar dallues të përbashkët që i damkos që në ngjizje e deri në fund pavarësisht formës, kohës apo mënyrës së mbërritjes në pikën që shenjon këtë fund. Është tipari më njerëzor që shoqëron qënien e ndërgjegjshme se sado e përparuar, edukuar, arsimuar, pasuruar, nuk mundet ta ndryshojë.
Jam përpjekur dhe tjetër herë të shpjegoj sesi ndjehet njeriu i vetëm përballë tjetrit, përballë shumë të tjerëve, përballë botës. Është e njëjta ndjesi që na injektohet në damarë që në ditët e para të edukimit si fëmijë, induktimi i rregullave të  mos-eve dhe turpeve si barrierat më të mëdha psikologjike që ngrenë muret personale përballë botës së madhe të jo-ve dhe pengesave për t’u kaluar, rrëzuar, injoruar, respektuar. Është gjithnjë imazhi që dëshirojmë të kemi në sytë e të tjerëve. 
Është e njëjta pra ajo që do të përjetohet pas largimit dinjitoz ose jo nga kjo e përditshme, frika e përherëshme e të qënit të nderuar pas vdekjes, një frikë që na qëndron në prag, mbi krye, anash shtëpisë, poshtë jastëkut, brenda dyshekut, nën mbulesa, ndënë këmbë… 
Janë ato shigjetat e hekurta, të ftohta, të mprehta, që therin qënien duke e çpuar tej me tehun e pamëshirshëm të shtirjes dhe maskave po aq të akullta të cilat nuk ngurrojnë të shfaqen me të parë momentin e duhur të performancës së rradhës.
Është mendimi i botës që aq shumë i druhemi se do ta shohë se kush jemi dhe kush ishim, e do të njohë të vërtetën e brendshme që ngurron të shpërfaqet aty ku dhe në realitet duhet. Por na duhet të rikthehemi dhe njëherë tek mënyra dinjitoze e respektimit të asaj që përkufizon një qenie njerëzore, një shoqëri qëniesh njerëzore, heshtjen dhe përuljen para vdekjes, sepse kur ajo qëndron aty, pas saj asgjë nuk ka më vlerë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s