Dhe një herë mbi lirinë

Titulli shumë intrigues, të ulesh dhe të shkruash por jo për lirinë, por mbi lirinë. Nuk është lapsus në të shkruar, është e zgjedhur pikërisht me qëllim si një lidhës që përcakton pozicionin tonë mbi konceptin.

Nuk është e lehtë të shkruash për lirinë e jo mbi lirinë, është si të thuash me fjalë të tjera të gjithë dijet dhe kuptueshmërinë tënde për këtë fjalë. Është një fjalë e madhe, e mbushur me sfida dhe kufizime.

Ç’është liria? Është e drejtë themelore e njeriut të lindë e të jetojë në liri. Duket si tautologji por mbi të gjitha liria është e drejtë për të marrë frymë, për të jetuar, e që në këtë moment është e drejta më sublime që ka njeriu si një qenie e lirë. Një e drejtë e paçmueshme, po aq e vyer sa vetë jeta, jeta e një njeriu të lirë që lirisht është në gjendje të vlerësojë të drejtën për të zgjedhur udhën e të mirës ose të gabimit.

Një njeri i lirë që mundet të ndjekë ëndrrat dhe të ndryshojë realitetin shpesh të zymtë në një mënyrë të gëzueshme, sepse një njeri i lirë ecën drejt lumturisë dhe lumturia që buron tek liria është aktualizimi i të drejtës që lind me njeriun, po sa i lirë rritet vërtet njeriu në këtë kuptim. Sa të drejta burojnë nga e drejta për liri? Sa realisht e vërtetësisht mundet njeriu i ashtuquajtur modern, të jetojë lirinë e përkufizuar në letra dhe të sanksionuar në konventa dhe kushtetutë.

Shumë dyshoj tek e drejta për të qënë të lirë, por besoj shumë tek e drejta për të të kufizuar lirinë brenda një lirie të munguar por dhe të vështirë për ta përkufizuar. Për ironi, kur të përmendin lirinë dhe të drejtën për të qenë të lirë, është shpesh e barazvlefshme me atë çastin kur boshllëku yt mbushet me mendimin se tashmë në humbëtirën ku rrotullohet kufizimi yt, nuk ka mbetur më asgjë për të humbur veç saj.

Kushtëzim i diçkaje që nuk e ke, nonsensi më i madh i kohës tonë. Çelësi i suksesit dhe rrugës së lakmueshme drejt parimeve të një jete të pëlqyeshme brenda kornizave. Cilave korniza? Atyre që të drejtojnë pafund drejt kufizimit për të qenë korrekt e detyrimisht jo i lirë. Liria e të shprehurit të mendimit në një botë ku liria mbetet vetëm në letra, mundet me të drejtën e një njeriu që synon lirinë, të të drejtojë të sillesh ndaj kësaj bote në një mënyrë të tillë që si një qenie absolutisht e lirë, t’i japësh të kuptojë botës që përpiqet të ta kufizojë lirinë, se vetë ekzistenca jote është një akt lirie që prej saj përkthehet në një akt rebelimi ndaj lirisë që ajo të ofron duke ta mohuar.

Të shkruash mbi lirinë, si një koncept lirie për t’u ngritur mbi çdo kufizim, për të hapur sytë dhe mendjen ndaj saj si koncept, e kur të jesh atje lart të kuptosh se për lirinë mundesh vetëm të mendosh e të meditosh gjerë e gjatë, por vështirë ta përjetosh si ndjenjë e të shprehesh mbi të por jo nën të. 

Sepse nuk ka përgjegjësi më të madhe mbi supet e një njeriu që gëzon të drejtën të jetë i lirë, përveçse të sillet në mënyrën e duhur e të respektojë këtë liri. Liria nuk është e drejtë, është përgjegjësi, për të qenë i lirë brenda mungesës së lirisë.

Është vlera më e madhe që një shpirt njerëzor mund të mbajë brenda vetes, është thesari më i vyer që njerëzimi mund të ruajë për të ardhmen, është synimi më i lartëm i një shoqërie të lirë, është pesha më e rëndë e gurit që rrokulliset shpatit të thepisur të piramidës sociale e që në fund bie mbi kokat e më të pafuqishmëve si për t’u kujtuar se hej keni dhe ju të drejtën për të qënë të lirë, për t’u shtypur dhe bindur. Uleni kokën, se gurin që ngritët do t’u kthehet sërish e do t’u shtypë, sigurisht lirisht.

Prandaj për lirinë nuk mund të shkruash,  mbi lirinë po.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s