Miq të përbashkët

Më ka ndodhur shpesh të vihem në rradhë para një sporteli, për të paguar, për të marrë një dokument, për tu mjekuar, për të pyetur, për të udhëtuar, për të ndërruar… Qoftë në sektorin publik apo privat gjithmonë jam ndeshur me të njëjtat sjellje të njerëzve të cilët nuk respektojnë rradhën. Edhe nëse na duket se jemi aq të ndryshëm e unikë, papritur kur jemi në grup sjelljet tona janë aq të ngjashme e madje nuk e teproj të them të njëjta, sa bëhen më se të përshtatshme për t’i studiuar.

Në çdo pikë ofrimi shërbimesh, ku njerëzit detyrohen të qëndrojnë në pritje, vjen dikush, hyn rrëshkimtazi, sa ta pyesi për diçka është versioni i parë, se ka parkuar keq, se nxiton, është sëmurë, është në orar të punës apo dhe lloje të tjera justifikimesh duke mbërritur deri tek argumenti se rradha duhet të ecë sipas parimit të dikurshëm një burrë një grua… e lista e justifikimeve vazhdon edhe më gjatë ndërsa ndjen një brryl që me vendosmëri të shtyn për t’i lëshuar vend ashtu si pa mendje…

Më fal! Më vjen të bërtas! Po pse unë që kam me minuta të tëra që respektoj rradhën a e kam kohën më pak të shtrenjtë se të tjerët? Unë gjithnjë e kam ditur se në këtë botën tonë të vogël ka pasur disa kufij që nuk duheshin shkelur. E nëse nuk duheshin shkelur hapur, nuk do të thoshte se nuk mundje që t’i afroheshe vijës e ashtu si padashur ta prekje lehtë, pastaj ta shkelje pak nga pak, për të kaluar përtej.

Ndërsa kam këtë mendim në kokë, ndjej se më janë ngrysur vetullat, mendoj sesa mirë do ishte sikur të gjithë të tregoheshin më të duruar, ndoshta dhe rradha do të ecte më shpejt.

Herë pas here shoh sesi punonjësja pas xhamit ngre kokën, sa punë rutinë duhet të jetë kjo mendoj. Të rrish tërë ditën në shërbim të njerëzve pa lëvizur, por dhe pa patur mundësi të hysh në një bisedë më të afërt, apo të krijosh një komunikim personal me personin përballë.

Unë e di se në këtë jetë që na duket se do të zgjasë në përjetësi shumë njerëz kurrë nuk do të mendojnë si ne. E nëse nuk do ta bëjnë këtë, nuk do munden të jenë aq pranë nesh sa të arrijnë tek vija, ajo vija e hollë thuajse e padukshme që na ndan nga të qënit si të gjithë të tjerët.

Unë e di se nëse nuk do munden të mbërrijnë tek vija, sërish do të kenë dëshirën dhe kureshtjen të kuptojnë përse flasim kaq shumë për kufinjtë. E nëse nuk do të munden të kuptojnë përsenë, nuk do mundën të shohin vërtetë përtej.

Unë e di se të mos kesh mundësi të kuptosh nuk dhemb. E nëse nuk do të mund të ndjesh dhimbje atëherë nuk do guxosh të gjesh kurajo për ta mposhtur.

Unë e di se pa kurajo askush nuk mund të kërkojë kufirin, as të gjejë forcë ta kalojë atë, për të kaluar përtej, vijës thuajse të padukshme ndarëse, as do munden të shohin dhimbjen e munguar që do t’i sillte tek arsyetimi i logjikës së përbashkët të respektimit të rregullave.

Më në fund dhe dy para meje, po më vjen rradha mua. Vërej një lëvizje pas sportelit, dikush po më bën një shenjë nga pas shpinës, kërkon të hyjë para meje sepse njeh sportelisten. Unë ende po ruaj qetësinë dhe nuk po ndërhyj. Nuk mundta të ruaj seriozitetin dhe fytyrën e painteresuar kur iu drejtua: Unë jam filani, kemi miq të përbashkët në facebook.


Ashtu e qetë dhe me mendime në kokë kthehem dhe i flas me një zë të qartë e të vendosur: “Nuk mund të kalosh, është rradha ime!”
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s