Jam i shtetit!


Kur në vitin 1991 sheshi “Skenderbej” do të tejmbushej nga qytetarët që brohorisnin nën këmbët e tribunës mbi të cilën përshëndeti dhe foli Sekretari Amerikan i Shtetit Xhejms Bejker, unë isha në atë shesh sëbashku me shumë fëmijë të tjerë që si unë nuk e dinim as kuptimin e fjalës diktaturë e as të demokracisë por ndodheshim aty me prindërit dhe të njohurit për të pritur dhe madje mirëpritur të ardhmen dhe ndryshimin.

Diellin që shkëlqente aq fort atë ditë, orët e gjata të pritjes dhe entuziazmin e përgjithshëm nuk do ta harroj ndoshta dhe për shumë gjatë.  Ende i kam në sy pamjet e sheshit që mbushej e mbushej dhe një qetësi e ndjenjë pozitive që ndjehej në ajër. Kujtimi i asaj dite për mua u kurorëzua nga dy djem që mbanin tre kone të vogla në duar, që megjithë lutjet e mia, mami nuk më lejoi ta merrja njërën në shtëpi,  ama iu gëzova pafund dhe e mbajta në duar deri sa të gjithë u shpërndanë. Për mua jeta ishte shumë e thjeshtë.

Në atë moshë kujtimet më të largëta lidheshin me festat  dhe festimet e përbashkëta shtetërore, më të afërtat me ndryshimet nëpër të cilat po kalonte vendi. Unë nuk mund të kuptoja por duhet vetëm të bindesha ndaj këshillave të më të rriturve, për të qëndruar larg rrëmujërave, larg të panjohurve, dhe nëse kisha hezitim të kërkoja një fytyrë me kapele policie për të kërkuar ndihmë. Në atë kohë, policët ishin mbështetja ndaj të dobtëve, ndihma ndaj njerëzve në nevojë, dhe mbanin një imazh të fortë e të qartë të përfaqësuesve të ligjit.

Gradualisht ngjarjet zëvendësuan njëra-tjetrën dhe vitet e turbullt e lëkundën dhe imazhin e figurave të ndryshme në vend duke mos kursyer as atë të forcave të rendit. Padashur dhe me ironi shpesh, filluam të rritemi duke vënë në lojë e duke përsëritur barcaletat e shumta me në qendër figurën tashmë qesharake që mbante veshur uniformën jo më aq të dashur e të respektuar të policit. Sesi ndodhi ky ndryshim asnjëherë nuk e kam menduar gjatë, por mund të them me shumë siguri se asnjëherë nuk jam ndjerë njësoj para trupave të ndërhyrjes së shpejtë.

Fati e deshi që fëmijëria dhe adoleshenca jonë të jenë më të ndryshme nga një fëmijëri dhe adoleshencë e shumë të tjerëve që u rritën në vende ku jeta ndjek rrjedhën e zhvillimit normal e jo të një vendi në tranzicion, shoqëruar me kalime të dhunshme nga njëra krizë në tjetrën. E sytë tanë panë të zhvlerësohej dhe figura e ushtarakëve vendas përballë paqeruajtësve ndërkombëtarë. E pata të vështirë të kuptoj se përse në rrugën e ngushtë krah murit të Shkollës së Bashkuar, ku pak vite më parë çdo 1 maj, dilnin tanket për t’u rreshtuar në bulevard, në atë paradën e përvitshme, duhet të kalonin disa makina të blinduara të cilat përveç emrit më të sofistikuar, kurrë nuk më pëlqyen më shumë sesa shenjat mbi asfalt që linin zinxhirët e tankeve dhe që na bënin të ndjeheshim aq të fortë e të rëndësishëm në skenarët imagjinarë të luftërave kundër armiqve që na kishin rrethuar botën tonë. Ende nuk e kisha kuptuar se ne ishim armiku më i madh i vetes.

Në këto kaq të shumta vite, të cilët nuk më pëlqen më as t’i numëroj, pasi shoh se ende nuk janë realizuar ëndrrat e atyre që na shërbyen si burim frymëzimi gjatë shumë spiraleve të zhvillimit të vrullshëm të historisë sonë brenda ciklit Hegelian të saj, ku çdo fazë ripërsëritet në një stad të ri, nuk ka si të mos më kujtohet përkatësia që kemi ndjerë si fëmijë por dhe siguria që na ka ofruar mendimi se kemi një shtet mbi kokë i cili përgjigjet për sigurinë e të gjithëve ne. 

“I juaji jam, i shtetit jam!” thoshte vogëlushi në një nga filmat më të dashur të fëmijërisë.

E pra, sot, ruajtësit e rendit, pikërisht ata, tanët, të shtetit, kanë kthyer sytë nga ne, sepse si kurrë më parë kanë nevojë të ndjejnë që ne ende kemi admirim për ta, se ende i respektojmë, se ende i vlersojmë, sepse ata nuk janë vërtet më të mirët, më të zotët, më të rreptët apo më tolerantët. Ata tashmë nuk janë si ne, sepse ne jemi qytetarët e shtetit, ndërsa ata duhet vërtet që në sytë tanë të paktën dhe njëherë e pse jo vetëm një, të jenë sërish vetë shteti.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s