Pamundësi

Çdo përpjekje e imja për të mbyllur sytë e veshët ndaj dhunës reale ndaj femrave dhe jehonës që i bën media tragjedive të mentalitetit pak e thënë të kalbur, dështon… Me dhimbje mendova se do shkruaja sot për të parrëfyeshmet, pamendueshmet, pak e thënë makabret histori të dëshpërimit shqiptar, por nuk e bëra. Në të vërtetë jam shumë e dëshpëruar dhe ndjehem e pafuqishme për të shprehur atë që ndjej përballë historisë së një njeriu që ka guximin të ngrihet mbi çdo gjë dhe të vrasë. Dhe fjalëve të mikes time nuk munda t’i përgjigjem sepse as unë nuk mund të shkruaj dot atë që sytë e saj nuk munden të lexojnë.

Kjo ishte hapësira e shenjtë tek e cila dëshirova të mos shkruaj për asnjë mendim që sadopak lidhej me politikë. Edhe pse në jetën tonë, padashur politika dhe vendimet e saj na ndikojnë aq shumë ditën dhe fatet saqë është thuajse e pamundur të mos ndikohesh. Dikur lexoja se jo çdo gjë që bëjmë ne është politike por ama çdo gjë që bën politika na përfshin dhe ne. E thënë kjo, në mënyrë të pashmangshme më duhet të pranoj se nuk mundem të jetoj në një enë qelqi ku të ndaloj të hyjë drita e të mbaj larg errësirën. Kur them errësirën nënkuptoj dhe ato pika të errëta që ngulmojnë të na errësojnë shpirtin…

Por nuk qenka politika burimi i të keqes. Ashtu si politikanët dhe unë nuk po i mbaj më premtimet, por ndryshe nga ata unë këto premtime ia bëra vetes. Premtova se nuk do të shkruaja më për gjëra “të rëndomta”, pra thënë më thjesht nuk do të shkruaja për ato ngjarjet e vockla të të përditshmes të cilat më vështirësojnë jetën e më mbushin me atë marazin përballë pafuqisë për të bërë diçka, që mblidhet e mblidhet derisa shpërthen në ndonjë formulim aspak etik për publikimin e të cilit pendohem jo pak në orët që vijnë pas…

Dhe nga ajo vajza e qetë dhe e përmbajtur, e gjej veten të mbushur me mllefe dhe pakënaqësi të cilat artikulohen në publik ose mes miqsh me fjali të gjata të nënrenditura, të cilat dinë ku nisin po nuk dinë ku mbarojnë. E nisin justifikimet e shpjegimet që më çojnë në një rreth të mbyllur e shpesh të pakuptimtë, sepse burimi nuk ka qenë i pastër, e nga ndotja e tij helmohet dhe ambjenti përreth.

Edhe pse jo çdo ditë dëgjoj lajme në televizione apo radio, sërish rrjetet sociale të cilat tashmë janë pushtuar nga dublikimet e gazetave apo politikanëve që pëçdo gjë na përditësojnë dhe përfshijnë në zhurmën e pandalshme të tyren dhe tonën, unë sërish përpiqem të rezistoj. 

Një qëndresë e heshtur shpesh, e cila më së shumti më rezulton jo dhe aq efikase sepse në fund të ditës, edhe përballë refuzimit tim për të dëgjuar, lexuar, apo përjetuar lajmet e hidhura apo të trishta e madje edhe absurde të botës ku sillem e përsillem, sërish mbërrij e ngarkuar aq negativisht saqë mendoj të mbyll sy e veshë dhe të shkoj të jetoj si filozofët në kërkim të të vërtetave universale atje në pyll. Larg qytetit, larg frikërave, larg politikave, larg rrëmujës, larg kronikës së zezë

Ndoshta është më mirë të kaloj në nivel teorik e të merrem siç më ka pëlqyer gjithnjë të bëj, me botën e ideve. Ah kjo bota e ideve… Dhe nga mënyra sesi e shkruaj e gjej veten si një njeri që beson por jo e dëshpëruar se ajo ekziston, e në mos e dëshpëruar pafundësisht e dëshiruar që të besoj në këtë ekzistencë. Dhe kur e shkruajta nuk thashë ajo po kjo, pra një formë e pandërgjegjshme e të shprehurit se bota e ideve është këtu përballë meje dhe unë madje e shoh dhe i drejtohem me një formë përemri të afërt në hapësirë e më thjesht të vendosur para syve tëmi.

Kam zgjedhur të mos jetoj në frikë, kam zgjedhur të mos përjetoj më panik. Sa do mundem, këtë nuk do ta di për shumë kohë, por unë kam zgjedhur të jetoj!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s