Koha


Koha shkon aq shpejt kur nuk e ke mendjen dhe papritur e gjeta veten të habitur sesi më shumë se dy javë kishin kaluar duke nxituar nga një gjë në tjetrën dhe unë nuk isha ulur dot para fletës për të shkruar mendimet e mia siç aq me kujdes e vëmendje kam bërë për muaj me rradhë.
Filloi me një shkëputje të përkohshme nga rrjeti dhe mundësia e komunikimit. Premtova se një shkrim do t’ia kushtoj epokës së mungesës së komunikimit por mesa duket ende nuk ka ardhur ai çasti kur të mundem t’i rradhis mendimet në lidhje me atë përvojë tre ditore. Pastaj m’u ngrit nje mur i lartë përpara syve, dhe mes përpëlitjesh disa ditore u përpoqa ta përkufizoj, kuptoj, shmang, e së fundi dhe kaloj. Të jem e sinqertë nuk do mundem ta rrëzoj ndoshta dhe për shumë kohë, e ndoshta dhe asnjëherë, e ndoshta një ditë thjesht do mësohem të jetoj me praninë e mungesën e tij.
Këto ditë akrepat më kanë ngecur në një tjetër koncept, sa real, aq dhe abstrakt, sa të arritshëm, aq dhe filozofik, sa të prekshëm aq dhe thellësisht konceptual por thelbësisht të pashmangshëm dhe ndikues. Ai qëndron aty përballë meje, me sfidën e hapur. Më kupto!
Sërish shpëtimin e kërkoj tek koncepti.
Çfarë është kjo sfidë e rradhës me të cilën duhet të përballem? Përse unë? 
Koncepti i të pandalshmes, i asaj që nuk pushon kurrë, rend, rrotullohet, rrëshket, fluturon, ecën, vrapon por nuk di të ndalet, nxiton të ngrihet si një dallgë oqeani, nga ato gjigandet të cilat do të mjaftonin për të lëkundur të gjithë universin, dhe sërish qetësohet e qëndron pezull mbi kokën e njerëzimit, për të tundur gishtin tregues, si për të thënë dhe njëherë si shumë herë se është faktori i vetëm të cilit nuk mund t’ia mohosh rrjedhjen në këtë jetë.
Koncepti i vetëqartë i Shën Agustinit, ai koncept për të cilin nëse askush nuk të pyet t’i thjesht e di se çfarë është, e nëse ngrihet pyetja menjëherë të kaplon padija dhe njëkohësisht pamundësia e pamjaftueshmëria ideore për ta shpjeguar në mënyrë të arsyeshme.
Të mungon vektori shpejtësi, do të më thoshte dikur një njeri shumë i dashur për mua. Po e di, e kuptoj, jam e ndërgjegjshme, por si ta shpjegoj këtë që ndjej sonte? Nuk më duhet as hapësira, as shpejtësia e zhvendosjes në të, më duhet thjesht koha. 
Do doja te shpjegoja se pikërisht koha është distanca më e gjatë midis dy vendeve në hapësirë, por si mundet të të bind për këtë?
Do doja të mund të të argumentoja se koha ekziston dhe midis objekteve edhe pse ato nuk janë të ndërgjegjshme për këtë, edhe pse ato thjesht ekzistojnë prej ekzistencës dhe pohimit tim, dhe për hir të kësaj ato thjesht nuk mund të mohojnë vendosjen e tyre në kohë.
Koha midis dy pikave. Pikat e pafundme midis pikave, dhe papritur shuplaka që të ngjeshet në fytyrë dhe të zgjon dhunshëm. Shumë më dhunshëm se gjithë  të vërtetat e kësaj jete. Ose në mos të vërtetat, të ashtuquajturat të tilla. Ato pohimet që na ndjekin nga pas e shpesh dhe na paraprijnë si rezultat i paraekzistencës së tyre në kohë kundrejt nesh, për të na dhënë shuplakën e rradhës, nga ato që nuk të rrëzojnë përdhe, por që të tundin themelet e të bëjnë të mendosh se jo çdo gjë që ke jetuar është aty për hirin tënd. Se shumë të tjerë kanë jetuar në kohën tënde dhe e kanë dominuar atë, e kanë lëkundur mbi atë dallgën e madhe që të përplasi dhe ty në breg, si për të të thënë, se është e rëndësishme dhe forca dhe qënia në kohë.
Koha, ajo qe duam më shumë dhe që po aq shumë e përdorim për të na përdorur dhe hedhur tej në çdo çast midis vetë kohës.

Kete shkrim mund ta lexoni dhe ne Revisten Java

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s