Vendimmarrje!

Momentet më të mira të ditës më gjejnë nëpër tryeza. Tryezë zyre, tryezë mbledhjeje, tryezë kuzhine, tryezë kafeje, tryezë miqsh, tryezë ekspertësh, tryezë pune, tryezë hekurosjeje, tryezë pa tryezë, tryezë me tryezë…
Më pëlqejnë momentet rreth tryezave, sepse janë momente shumë intensive por dhe të qeta njëkohësisht. Në një moment kur ulesh përballë fytyrash apo objektesh, të cilët nëse nuk janë objekte kanë të gjithë të drejtën të jenë e të konsiderohen të tillë. Vlen dhe e kundërta, unë shpesh mund të jem një subjekt i këndshëm në tryezë, ashtu siç mund të kthehem lehtësisht në një objekt të heshtur e pajetë, sigurisht në dukje…
Më tërheqin shumë njerëzit kur flasin, mënyra si shprehen, gjërat që thonë, ato që nuk thonë, ato që kuptohen, ato që nënkuptohen, vështrimet që hidhen nga një skaj në tjetrin, vështrimet që kryqëzohen, që lexohen, që qeshin, që nënqeshin. Frymë që mbushen, shfryrje të plota, fjalë e mendime të paplota. Një botë rreth një tryeze.
Mbi të gjitha më pëlqejnë tryezat e ekspertëve, që mblidhen padashur përreth një filxhani të ngrohtë me kafe, në një mëngjes të zakonshëm gri e të zhurmshëm, ashtu rastësisht mes miqsh të rinj për hir të kafesë. E nga pyetja e përhershme për vendin e parkimit, kalohet natyrshëm në diskutimet mbi kopshtin apo shkollën e fëmijës, llojin e dietës ushqimore të përshtatshme për zhdukjen e ndonjë sëmundje të llahtarshme, apo kurën magjibërëse që ka përdorur kushërira, apo diagnostikimin gjysëm-shkencor e thuajse-mjekësor të ekspertizës që e kryen konsultën aty për aty në tryezën e kafesë.
E mjekët e padiplomuar, janë shtuar shumë së fundmi. Ata që kanë një këshillë për çdo rrethanë të paqartë fizike që mund të shfaqë simptomat edhe si pasojë e një frike të brendshme apo dridhjeje muskulare.
Por dhe psikologët në tentativë nuk janë më të pakët. Nuk e dini? Fshihen në çdo cep, aty ku më pak e pret ti ndeshësh. Kujton se nuk i sheh? Fakti që ti nuk i sheh nuk do të thotë se ata nuk janë aty për ty sa herë të mos kesh nevojë për një mendim jo të specializuar.
Ti qëndron në heshtje brenda botës tënde të thjeshtë duke mos dashur të mendosh asgjë, por të shijosh një kafe të mirë në mëngjes për të nisur ditën me aromën e mirë të saj, për të të hapur sytë e zgjuar nga gjithë ëndrrat e bukura të natës së shkuar, në përpjekje për të rrëshkitur butësisht në realitetin dhe vështirësitë e ditës që sapo ka nisur.
Për ata që zgjohen herët, apo sapo lind dielli, dita tashmë meriton të quhet se po i afrohet mesditës, por për mua është thjesht e saponisur, dhe fillimin gjithnjë dëshiroj ta kem sa më të qetë, derisa ritmi të arrijë pikun e më pas të tërhiqem sa më qetësisht pranë strehëzës së dashur, aty ku zënë fill të gjitha, edhe ëndrrat. Edhe ajo ëndrra që fle e ndrojtur brenda meje dhe nuk guxon të ngrejë krye. Një ëndërr nga ato të cilat nuk guxon ta ëndërrosh, por nëse e ke dhe e di që e mbart brenda teje në heshtje, vjen një ditë kur e sheh veten me një dëshirë të madhe për t’u zgjuar. I hap sytë dhe guxon të mendosh pikërisht atë të pamendueshmen, por tashmë të realizueshmen, të arritshmen ëndrrën tënde.
Dhe këtë mëngjes, të gjithëdijshmit u mblodhën në qendrën e botës apo siç mund të njihet më thjesht në kuvendin përreth filxhanit, e vendosën të zhdukin me një të rënë të lapsit edhe problemet e varfërisë së jetës kulturore në vend, edhe krizën morale të qytetarëve në vendet e  rajonit dhe më tej. Dhe u përpoqën të ndalin ëndrrat, të ngrihen mbi mendimet, të shpërndajnë energjinë në eter për të mbytur shpirtrat që ende janë aty çuditshëm, të pamposhtshëm sepse ende guxojnë të ëndërrojnë, më bukur, më mirë, më dashur, më shumë.
Mos guxoni t’i ndalni, nuk do mundni!

http://revistajava.al/cadra-e-kuqe/2014414/vendimmarrje

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s