Dietë!

Vetëm pak ditë në dietë dhe rezultati është i mahnitshëm. Provojeni!  
Unë nuk jam një njeri i dietave, madje deri në momentin që nuk jam në dietë ushqehem normalisht. Sigurisht që ajo që konsiderohet normale për mua ndoshta nuk është e tillë për dikë tjetër, por kur them normale dua të them një mënyrë të ushqyeri me shumë ngjyra, për aq sa mundem. Por më ka ndodhur shumë herë që nëse vendos të filloj ndonjë dietë pikërisht në atë çast me fanepsen me rradhë të gjitha ushqimet e botës që asnjëherë më parë nuk kisha dashur t’i provoj e aq më pak, t’i ha. Si rrjedhojë dhe dietat e mia dështojnë dhe rezultatet lënë shumë për të dëshiruar, e zhgënjimi është tepër i madh e dekurajues.
Pas kësaj hyrjeje jo dhe aq të detajuar por mendoj mjaftueshëm të gjatë, është momenti për të mbërritur tek argumenti i rradhës. Jam në dietë! Dieta ime e re çuditërisht në dallim nga të gjitha përpjekjet e mia të mëherëshme nuk po më zhgënjen. 
Nuk mund të them se më pëlqen të shkruaj në mënyrë misterioze e me ide të vështira për t’u kuptuar. Kam hequr dorë nga lajmet! Që pas disa ngjarjeve të shëmtuara që mendoj, madje jam e sigurt, nuk ndodhin vetëm në lagjen tonë, qytetin tonë, vendin tonë, kontinentin tonë, kuptova se përveç krimeve që ndodhin aq shpesh, një rol shumë të shëmtuar në shpërndarjen e helmit në eter luan media.
Mua më pëlqente edicioni i lajmeve. Ishte një nga gjërat e të përditshmes që të paktën një herë në ditë të ulesha përpara televizorit dhe të dëgjoja lajmet nga fillimi deri në fund. Kur nuk mundesha hyja në rrjet dhe i hidhja një sy të shpejtë titujve. E kur ndodhesha larg, mezi prisja të postohej video me edicionin informativ të mbrëmjes. Sepse kur ndiqja lajmet më dukej se dhe më shumë jetoja të përditshmen time.
Por ditë pas dite gjërat filluan të marrin një drejtim jo të mirë. Përveç ideve që më vinin për pamjen duke filluar nga modeli apo ngjyra e flokëve e gazetares përpara mikrofonit, nisa të ndjej sesi helmi po më hynte në gjak. Me këtë nuk dëshiroj të them se qëllimi i medias është i keq, por mënyra e përdorur dhe efekti që shkakton është shumë më i fortë e shkatërrues për psikikën tonë krahasuar me shqetësimin dhe tronditjen që vetë krimi ka. Nuk e di nëse do të ishte zgjidhje që mediat të vendosnin të hiqnin dorë nga transmetimi i lajmeve te tilla, akoma më mire do doja që të mos kishin kronikë të zezë. Cungim? Të paktën jo në titujt kryesorë, jo në hapje të lajmeve, jo në faqen kryesore të gazetës, jo në faqen kryesore të seicilës faqe që shpërndan lajme.
Unë buzëqesha me idenë fantastike të shoqes time, se lajmet tona janë bërë aq të kobshme sa meritojnë të shfaqen vetëm në kanalet “Thriller” pas orës dhjetë të mbrëmjes. Jam e ndërgjegjshme që ne nuk jetojmë në një vend paqësor apo pa krime. E ku vallë ndodhet një vend i tillë? Në të njëjtën kohë jam e ndërgjegjshme për detyrën që media ka për të informuar publikun. Por dhe ky është një POR shumë i madh, dëshiroj shumë t’i rezervoj vetes të drejtën për të mos u ndikuar nga të tilla lajme.  Për arsye objektive vendosa të qëndroj në qetësi nga të gjitha lajmet të cilat zakonisht i lexoj online dhe sigurisht kam shume mundësi të vazhdoj t’i ndjek kudo që të jem. Mjafton të shkruaj adresat e gazetave kryesore dhe do të më hapet para syve ajo bota e dhunshme dhe shpesh e përgjakur e jetëve të humbura në udhët tona e jo vetëm, por të atyre jetëve që humben sërish duke u trumbetuar pafundësisht nga njëri stacion televiziv në tjetrin.
Unë nuk besoj tek thëniet se kur nuk ka lajm është gjë e mirë, apo e keqe, thjesht dëshiroj të kem mundësi të mos dëgjoj vetëm gjak dhe vdekje. Më besoni, kam një gjendje qetësie të shpirtit e të trurit dhe padyshim që dieta po funkisonon. Besoj e kuptuat, jam në dietë pastruese të shpirtit sidomos nga lajmet!!!
Advertisements

One thought on “Dietë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s