Shën Valentini në zemrat tona…


E gjitha filloi me kërkesat për të mbledhur lekë për dhuratën e 7 marsit. Më kujtohet si sot, isha në klasë të gjashtë dhe mësuesi ynë kujdestar na jepte lëndën e biologjisë. Ai kishte qënë i internuar dhe nuk kishte pasur mundësi të ushtronte profesionin e tij të mësimdhënies për shumë vite. Ai ishte një mësues shumë i pasionuar, përpiqej të na e bënte shumë interesante lëndën dhe për të na ilustruar gjethet, lulet, insektet nxirrte nga xhepat gjithëfarëlloj degësh. Emrin e tij ka shumë vite që e kam harruar por nuk do të harroj kurrë pardesynë e hirtë që mbante të veshur, e nën të xhaketën, trikon dhe xhepa të mbushur me material gjysëm mësimore. Ai ishte mësuesi të cilin ne e donim aq shumë dhe dëshironim t’i blenim dhuratë për 7 mars. Por ja që nuk ishte aq e lehtë sepse në ato vite kinkaleritë ofronin aq pak mundësira zgjedhjeje veçanërisht nëse bëhej fjalë për një burrë. Dhuratat mblidheshin në shami, sapun, dhe një livando. Mësuesi u emocionua shumë dhe na nxorri një ekskursion në natyrë e aty në diell dhe ajër të pastër ndërsa ne gëzonim ai nxorri nga xhepat e tij magjikë karamele dhe çokollata për të na i shpërdarë.


Ky është festimi  më i bukur që kam në mend për një feste të pasforcuar.


Me kalimin e viteve 7 marsi u shndërrua në një detyrim të shëmtuar, ku mbledhja e parave bëhej me përtesë, ku dhuratat e thjeshta u zëvendësuan me blerje varësesh e unazash ari për mësueset, kur 7 marsi u kombinua dhe me 8 marsin dhe u kthye në një makth të vërtetë. Ku nëse nuk shkoje me lule në dorë për mësuesen do të shndërroheshe në delen e zezë të gjithë shkollës, e sidomos kur ishe dhe kujdestarja e klasës e të duhej të mblidhje nga shoqet e shokët kontributet e urryera dhe pastaj me to të dilje e të bleje dhuratën pa as më të voglën dëshirë e gëzim. Kur ndërsa ndihmoje mësuesen kujdestare të mblidhte mungesat në fund të regjistrit dëgjoje bisedat e saj me mësueset e tjera se sa shumë duhet të shpenzonin për të blerë lëngje e çokollata për dyzetë e ca nxënësit të cilët do shpenzonin për të blerë atë unazën e arit që aq shumë e pëlqente por nuk kishte sigurinë e mjaftueshme nëse do ia blenin.


E gjithë ky shqetësim nuk linte vend për të menduar për një dhuratë sado të vogël për mamin, gjyshen, hallën e dashur, apo tezet e shtrenjta. Dhe në themel e gjitha kjo ishte një mësim i gabuar pasi dhe vetë 8 marsi nuk duhet të ishte një festim por një ditë për të përkujtuar dhe rritur ndërgjegjësimin e femrës për të drejtat e saj. Por jo, ne nuk merreshim me këto, ne merreshim me pseudo-festime të lumturisë femërore në ditën e saj.


Ishin vitet kur kartolinat e thjeshta e të shkruara me aq dashuri u zëvendësuan me dhuratat e urryera totalisht materiale. Ku papritur vlera e shpirtërores dhe pafajësisë u zëvendësua me një etiketë të shëmtuar çmimi. Aty filloi kriza e madhe e festimeve të detyruara.


Ishin vitet kur filluan grupimet femërore rreth lokaleve me tufa me lule, dhe muzikë e tërbim. Ishin vitet kur fqinji im thoshte për gruan, le të dalë sot se nuk del gjithë vitin. Ishin vitet kur pikniku me familjen nga liqeni u zëvendësua me dreka në lokal, kur shëtitjet në bulevard u zbehën nga pijet në lokalet e parkut apo buzë Lanës. Muajt shkonin dhe me dhimbje shikoja sesi zbehej festimi i 1 qershorit, por theksohej 1 dhjetori. Kjo hapësirë mbushej me përkujtime dhe ankthe pasigurish politike dhe çmendurira kolektive festimesh të festave të pandjera. Ishin vitet kur filluam të kuptojmë se dhe ne duhet të festojmë ato që na vijnë nga jashtë, festën e nënës, të babait, ditën kundër dhunës, ditën kundër duhanit, ditën e tokës, ditën e festimit të diçkaje që nuk të përket për hir të botës.


Ka gjithnjë një ndjesi që i shoqëron festat e induktuara nga kulturat e tjera. Mendoj se dhe Shën Valentini ra viktimë e një moskuptimi të simbolikës së kësaj dite. Do dalim me shoqërinë të festojmë Shën Valentinin. Apo San Valentinon? Apo Shën Valentajnin? Apo kombinime të emërtimeve të kësaj dite në gjuhë të ndryshme… Dhe papritur të duhet që të telefonosh të gjithë Valentinat dhe Valentinët se paskan dhe ditën e emrit e duhen uruar. Dhe papritur të kap ankthi tek sheh njerëz përdore që vërshojnë rrugëve të qytetit me qese të bardha me zemra të kuqe, me bluzë të kuqe, me lule të kuqe, me faqe të kuqe.


Dhe krizën vetjake se ti në këtë ditë të shënuar dashurie nuk ndjehesh as më shumë e as më pak e dashuruar se ditët e tjera të vitit, përpiqesh ta kalosh duke pirë një Martini me shoqen që ndjehet njësoj si ty, në mos më keq, ulur në një lokal të këndshëm me pemë dhe diell. Gjë e rrallë që të kesh në mes të qytetit një hapësirë të tillë ku të pish Martini në 10:00 të paradites dhe kamarieri të mos të të shohë me një vështrim quasi-tallës.


Hë mi, keni dalë bashkë? Mos jeni nga ato dhe juve?


Dhe ti që e kupton vështrimin e tij dhe kuptimin e fshehur pas atij vështrimi dhe si për inat i hedh një vështrim provokues shoqes tënde dhe sigurohesh që ai kamarjeri të jetë duke parë nga ty ndërsa ti bën gëzuar si për inat dhe e rrëkëllin me një frymë gotën për të porositur të dytën. E kush është ai që të të gjykojë ty, është thjesht një nga çunakët e brezit të ri që nuk kanë as tule për të mbushur xhinset që po u bien. E ndërsa ai vjen për të marrë porosinë ti kënaqesh duke kujtuar atë djalin simpatik me kostum e kollare me të cilin u shkëmbeve në korrridorin e institucionit karshi.


Dhe papritur kupton se 10 vite më parë nuk lidhet më me vitet 90-të, në atë çast të ringjallen të gjithë fytyrat që ke dashur në jetë, dhe që ke pritur të të sjellin një lule, një kartolinë, një letër, një shuk letre, një fishkëllimë poshtë ballkonit, një mesazh në telefon apo thjesht një togfjalësh të vogël për të të shprehur atë që është mirë ta dëgjosh dhe ndjesh gjatë tërë vitit, vlerësim dhe dashuri.


Por jo, duhet të mjaftohesh me gëzimin që të jep dielli dhe ngrohtësia e tij në një ditë të bukur Shkurti. Papritur fillon të ndjehesh e bekuar që ke mundësi të thithësh ajrin e freskët të pranverës në prag.


Merr telefonin në dorë dhe shikon statuset e të njohurve të cilët kanë një jetë aq të lumtur, shumë të lumtur, sidomos në rrjete sociale. Tufa lulesh, dhurata, dedikime, check-in nëpër restorante dhe vende romantike, shfaqje teatrale të një jete të munguar por të servirur në rrjet.


Dhe ti që di shumë nga ato që nuk duhet t’i dish por që i dinë të gjithë. Që burri i asaj ishte me të dashurën në lokalin ku ajo shkoi të festonte ditëlindjen me shoqet, ama i paska bërë dhuratë për Shën Valentin. Që burri i asaj tjetrës flirton me gjithë femrat e mundshme që i kalojnë para syve, ama i paska bërë një propozim për një rifestim të 15 viteve nxirje jete sëbashku. Këtë sigurisht nuk kanë harruar ta materializojnë në një festë në kalendarin fejsbukor. Që ajo tjetra mezi pret që të lëjë takim tek parukierja për të rrëshkitur në krahët e atij tjetrit i cili ndryshe nga sa i kishte thënë në telefon i kishte bërë një goxha surprizë. Ndërkohë që ato 4 gocat beqare të cilat rrinë dhe përhapin këto lloj lajmesh në eter sipas parimit fol se diçka do të mbesë, janë duke qarë me oiii për mungesën e atij tjetrit për ta marrë përdore dhe nxjerrë nëpër qytet si trofe të një dashurie valentinore.


Dhe kulmi është kur të merr në telefon një person totalisht i painteresuar në ditët e tjera të vitit dhe të uron për Shën Valentinin.


Ej, më fal, unë jam e martuar! Nuk pres të më urojnë shoqet për Shën Valentin! As të na japin gjysëm dite leje nga zyra që të shkojmë të festojmë. As të më urojë tezja, halla apo mamaja për Shën Valentin. As nuk dëshiroj të lexoj statuse të mikeve të mia të cilat edhe nëse nuk janë të lumtura shtiren sikur janë. Çfarë vlere ka kjo shfaqje e madhe dashurie kur gjithë vitin lajmet na mbushen me histori përndjekjesh, dhune dhe krimi në çift?


E mbani mend datën kur keni dhënë puthjen e parë? Datën kur jeni ndjerë si një top pambuku që e merr era dhe e ngre lart me lehtësinë më të madhe vetëm për hir të lumturisë? Po herën e fundit që keni organizuar një darkë të thjeshtë por të mbushur me shumë dashuri pa e reklamuar ne rrjete sociale? Ditën kur jeni ulur përballë në tavolinë pa e nxjerrë telefonin nga çanta sepse gjithçka për të cilën ke nevojë në atë çast është të jesh aty me dashurinë tënde? Ditën kur keni marrë lule? Ditën kur keni dashur të ngrini kokën nga qielli e t’ia thoni botës mbarë se sa të lumtur ndjeheni? Sa mirënjohës, sa dashamirës ndaj çdo gjëje përreth…


E pra, dhe unë e kam të vështirë ta kujtoj datën, por ndjesinë nuk druhem ta them e kam shumë të fortë të çasteve të bukura dhe të mbushura me dashuri që kanë qënë present në jetën time, dhe kur nuk e dija çfarë ishte Shën Valentini, dhe kur e dija, dhe kur e doja por nuk e festoja, dhe kur e urreja dhe mezi prisja të vinte dita e nesërme, dhe kur tallesha dhe kur gëzoja.


Është mirë që festimet kolektive të jenë individuale, dhe festimet individuale të jenë të ndjera, në këtë mënyrë mësimet që na vijnë me detyrim nga çdo drejtim duke filluar dhe nga filmat për fëmijë ku Barbie duhet të dashurohet dhe të puthet, ku Arieli bën sakrifica të paimagjinueshme për dashurinë, ku Hirushja shpëton nga vuajtjet vetëm si rezultat i dashurisë, ku Borëbardha rikthehet në jetë nga puthja e princit dhe xhuxhi dëshiron të martohet, ku Gishtëza e vogël përndiqet nga lloj soj minjsh dhe urithësh për t’u martuar, ku modelet e ofruara janë aq mbytëse dhe shkatërruese për individin e lirë që rritet duke dashur të përkasë dhe në festime të stisura, që humbin vlerën e tyre duke i lejuar hapësirë pikërisht asaj ndjenje që duhet të jetë në thelb të jetëve tona, dashurisë.


Unë nuk e urrej Shën Valentinin, unë urrej falsitetin që e shoqëron dhe atë ditë si shumë të tjera. Dhe mos më pyesni çfarë mora për dhuratë për Shën Valentin sepse ndryshe nga buzëqeshja që mbaj të veshur çdo ditë, unë nuk do ju përgjigjem se e kam çdo ditë Shën Valentin. Ndonjëherë nuk di as si më vjen e më ikën dita e jo më të kem mendime të krahasueshme me festimin e Shën Valentinit.


Sepse në thelb ajo për të cilën vërtet qënia njerëzore ka shumë nevojë, është të jetë e dashuruar! Dhe dashurinë ose e ke dhe e ndjen në shumë ditë të vitit ose thjesht pret të ta urojnë gëzuar për Shën Valentin!
Advertisements

19 thoughts on “Shën Valentini në zemrat tona…

  1. Nuk i ke len cep e ane pa ja qendisur Shen Valentinit 🙂 Ka edhe me per fat te keq…. nje poster i shemtuar ngjitur neper shtylla qe pashe sot ne mengjes, ku shfaqej nje vajze me “rroba banje” (te themi) me bel te perdredhur e me nje gisht ne goje qe nje zot e di se cfare lidhjeje kishte me urimin Gezuar Valentinin qe mbivendosej ne lakuriqesi.
    Me beri te me vije turp!

    Like

  2. Une per vete sa here qe mbaroj se lexuari ty Bler – mendoj qe ti je koleksionuesja me e mire e mendimeve te te tjereve ne menyren e te shprehurit tend. Gjithe keto ndjesi te shkruara me kaq finese e realizem une i kam perjetuar ne cdo dite te kesaj festes se te dashuruarve qekurse 20 vjec – a thua keta te bekuar 'dashurues' dashurojne vetem ate dite ne vit! 🙂
    Super shkrim – pararendes edhe i 7-8 Marsit 😉

    Like

  3. O Bler une do them vetem kete; Ti goc ke aftesine koleksionuese me te mire e mendimeve te te tjereve ne menyren tende. Gjithe ndjesite e permendura ne shkrimin tend me siper kane qene gjithe cka kam perjetuar une pergjate gjithe ketyre viteve qekurse 18 a 20 vjec, ne diten e te dashuruarve! A thua keta 'dashurues' dashurokan per te festuar vetem ate dite te bekuar ne vit!!!!
    Super shkrim – Pararendes mjaft i mire per 7- 8 Marsin 😉

    Like

  4. E ke kopsitur nga cdo ane Bler! Asnje element nuk te ka shpetuar! Tani si perfundim, do dalim ta “festojme” sot ne? Mos harro lulet 😉 Rudi

    Like

  5. Ju faleminderit te gjitheve qe me lexuat dhe komentuat ne kete shkrim. Mesa duket nuk eshte e lehte te “ngacmosh” lexuesit qe te ndalen dy minuta me shume per te shkruar disa fjale. Edhe pas nje shkrimi pak te gjate gezohem kur lexoj se shume prej jush ndani te njejtat shqetesime me mua.

    Like

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s