Nuk është thjesht shi!

Sapo ka hyrë janari, është pranverë. Pranverë thashë? Mos u nxito të më korrigjosh. Nëse do të zgjoheshe nga një gjumë i thellë dhe papritmas do të të pyesja se në cilën stinë jemi, si do të më përgjigjeshe? Të duhen disa të dhëna? Mirë, të lutem shiko jashtë dritares. I shikon? Po, janë lulet e mimozës që aq vrullshëm kanë ҫelur. Dëshiron të ta hap pakëz dritaren të ndjesh aromën? Më mirë jo, sepse bashkë me të do të hyjë dhe duhma mbytëse e zgarës në trotuarin përballë. Vërtet edhe pse në një kat të sipërm, aroma e mrekullueshme e luleve mund të mbërrijë deri tek flegrat e holla e të ndjeshme. Dhe dijet e fizikës më shfaqen si të gdhendura në pllaka guri… “Sa më larg sipërfaqes së tokës të ngjitemi, aq më shumë rrallohet ajri”. Mirë, dhe kjo qëndron, ajri rrallohet por përse ajo hapësira e padukshme midis molekulave të oksigjenit duhet të mbushet me këto erëra të zgarave që kanë pushtuar jo dhe aq shumë hapësirën sesa ajrin.


Po për cilin ballkon po flet, më duket sikur vështrimi yt më ҫpon deri në palcë e më shkund nga mendimet e mia. Nuk ka pemë mimozash në trotuar. Mirë ke të drejtë, në fakt nuk ka pemë mimozash në lagjen time. Por ka diku tjetër në qytet. Po jam e sigurt që ka sepse dhe disa miq të mitë kanë postuar fotot që kanë bërë nga ballkonet e tyre, dhe unë i pashë. E pashë dhe dorën që këputi një luledele në krah të rrugës. Kishte mbirë ashtu pafajshëm në një tokë të ndaluar. 

Po si mundet që dhe lulja të ketë lirinë për të mbirë ku dëshiron, në një vend ku liria është shpesh kufizim për të qënë i lirë. Por pavarësisht të gjitha këtyre, a nuk kam dhe unë të drejtë të ëndërroj se një ditë një pemë, ose shumë pemë mimozash do të rriten e gjelbërojnë poshtë dritares sime?


E pe qiellin? Është i kaltër, ashtu siҫ vetëm në pranverë mund të marrë një ngjyrë kaq të spikatur e të kthjellët. Pra kam gjithë të drejtën e botës të them se është pranverë.

Por nuk është! Jemi në janar. Dhe moti me surprizat e tij na ka bërë të jetojmë më shumë ndjesi pranverore në dimër. E kur u kujtua të vijë me tiparet e tij sërish jo shumë dimërore, sepse dhe stinët kanë filluar të sillen në mënyrë të moderuar së fundmi, si për të na dhuruar një ndjesi zbutëse e ofruar më shumë, atëherë dhe unë u zgjova dhe ngrita sytë nga qielli. Po përse? Sikur kjo të ishte pyetja e vetme që do të më shqetësonte dhe unë do e kurseja veten dhe nuk do ta bëja. Por ja që nuk është e vetmja. Jetojmë në qytetin që na pëlqen të quajmë të madh, por sa herë nisemi në udhëtim, e kuptojmë se është thjesht një hapësirë që si një rrjetë e ngatërruar na fut në fijet e saj dhe nuk na lejon të marrim frymë. Me një ritëm që na duket i shpejtë por në të vërtetë është thjesht kaotik e i ҫrregullt, na fut në vorbullën e mbushur me pluhur dhe mungesë hapësirash.

Këtë mungesë e vë re kur bie shi. Papritur rrugët e gjata bëhen edhe më të largëta, trotuaret njëjtësohen me rrjedhën që mbush hapësirën mes tyre, makinat vërshojnë më shumë se uji, dritat thyhen verbueshëm, dhe veҫ kur e gjen veten me sytë të zgurdulluar mbi timon në një përpjekje thuajse të dështuar për të shquar përtej kryqëzimit përballë. Shoh tre-katër njerëz fosforeshentë që përpiqen të vendosin rregull mes makinave që nxitojnë t’i zenë rrugën njëra-tjetrës në mënyrën më të pamendueshme të mundur dhe nuk mund të mos ndjej keqardhje.

Po kujt i duhet ky shi në këtë kohë mendoj thuajse e inatosur me këtë padrejtësi të rradhës. Ai nis të bjerë e të bjerë, e të derdhet furishëm mbi qytet, si për të na kujtuar se nuk jemi veҫ një gjethe në pyll. Por nuk ka arsye për t’u mërzitur, sepse nga qielli bie thjesht ujë. Mund të binin dhe petale, por që kjo të ndodhë duhet të mbjellim më shumë pemë. Sepse dhe ne mund të ishim nje gjethe sikur të kishte dhe një pyll ky qytet, e atëherë dhe shiu do të binte me gëzim. Ndonjëherë më duket se dhe shiu bie me inat. Si për të ndëshkuar të gjithë ata që guxuan të ngrenë dorë mbi këtë hapësirë tonën, ai derdhet vrullshëm mbi kokat e atyre që gabuan, por ata ndoshta thjesht nuk munden ta vënë re këtë. Sepse disa njerëz e ndjejnë shiun të bjerë, disa të tjerë thjesht lagen. Ndërsa mua, më pëlqen të eci në shi, dhe të mendoj se pas tij do të dalë sërish dielli.

~ Ҫadra e kuqe
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s